Ymeri: Kurti po mashtron për KEK-un – të dhënat ndërkombëtare e demantojnë

Anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për deklarata të pavërteta lidhur me prodhimin e energjisë nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).

Sipas Ymerit, pretendimi i Kurtit se “që nga 19 dhjetori i vitit që lamë pas, KEK-u po prodhon me kapacitet maksimal me pesë njësi gjeneruese” nuk qëndron. Ajo thekson se gjatë kësaj periudhe ka pasur të paktën dy rënie të njësisë B1, me zero gjenerim.

“Rrena mund të jetë bërë normale për Kurtin, por të dhënat janë ndërkombëtare dhe lehtësisht të verifikueshme. Kosova meriton ta dijë të vërtetën për atë që ka ndodhur pas postimeve plot vetëlavdërime,” ka deklaruar Ymeri.

Ajo ka shtuar se përveç këtyre, ka edhe të pavërteta të tjera në komunikimin e Qeverisë për sektorin energjetik duke ngritur një pyetje të drejtpërdrejtë për kryeministrin.

“Pse me Tetra (kompaninë greke) nuk keni sjellë investime, por ia keni shtrirë ‘qafën’ Kosovës me bartje të energjisë mbi 1 milion euro në ditë? Edhe sot, bartja nga Maqedonia ka kushtuar mbi 30 mijë euro për energji, ndërkohë që ju flisni për suksese,” ka theksuar Ymeri.

Sipas saj, qasja aktuale e Qeverisë në energjetik po i kushton shtrenjtë qytetarëve dhe po mbulohet me deklarata që nuk përputhen me realitetin e prodhimit dhe shpenzimeve. /Kosova.info/


Go to TOP