Rama: Nuk synoj drejtimin e LDK-së, fokusi im është transformimi i Prishtinës

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur befasi për rezultatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, ku kjo parti shënoi një rënie të ndjeshme krahasuar me dy palë zgjedhjet parlamentare të mbajtura gjatë këtij viti.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), LDK ka siguruar 13.57 për qind të votave, përkatësisht 119 mijë e 201 vota, rreth 52 mijë më pak se në zgjedhjet e 9 shkurtit, kur kishte marrë 18.27 për qind të votave dhe pesë ulëse më shumë në Kuvendin e Kosovës.

Në një intervistë për KosovaPress, Rama theksoi se LDK dhe partitë opozitare duhet të reflektojnë seriozisht mbi arsyet e kësaj rënieje dhe të rishikojnë qasjen e tyre politike. Sipas tij, vendi ka nevojë për një opozitë të fortë dhe funksionale, e cila do ta çonte Kosovën përpara më shpejt.

“Partitë opozitare duhet të reflektojnë dhe ta kuptojnë pse ka ndodhur kjo rënie, të kenë një program që ua mundëson ringritjen, sepse një opozitë e fortë është e domosdoshme për zhvillimin e vendit,” ka deklaruar Rama.

Duke komentuar deklaratat e kryetarit aktual të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili nuk e ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes, Rama ka mohuar kategorikisht se synon drejtimin e partisë.

“Nuk është e vërtetë. Unë jam kryetar i kryeqytetit dhe kam një mandat katërvjeçar. Fokusi im është transformimi i Prishtinës. Kjo është vota e qytetarëve dhe unë do të jem këtu për kryeqytetin dhe për të mirën e gjithë vendit,” ka thënë Rama duke shtuar se LDK-ja ka mjaft njerëz të aftë brenda saj që mund ta marrin këtë përgjegjësi nëse Abdixhiku vendos të largohet.

Rama po ashtu ka folur për raportet e tij me lidershipin aktual të LDK-së duke theksuar se ato janë të mira dhe se bashkëpunimi ka qenë korrekt, edhe pse ai nuk është anëtar i kësaj partie.

“Kam raporte të mira me të gjithë, sepse edhe Lidhja Demokratike më ka ndihmuar gjatë zgjedhjeve lokale. Edhe unë i kam ndihmuar LDK-së në zgjedhjet e shkurtit dhe të 28 dhjetorit. Ka qenë një bashkëpunim i shëndoshë për të çuar përpara proceset e kryeqytetit,” u shpreh Rama.

Ai shtoi se shpreson që qeverisja e re të jetë më bashkëpunuese dhe jo bllokuese apo sabotuese duke theksuar se mendësia e tillë dëmton zhvillimin e vendit.

Zgjedhjet e 28 dhjetorit, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, janë fituar nga Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga Albin Kurti, me 49.34 për qind të votave, përkatësisht 433 mijë e 394 vota.


Go to TOP