Ndërron jetë Davide Tizzano, President i ICMG – mik i madh i Kosovës dhe sportit olimpik
Me dhimbje të thellë është pranuar lajmi për ndarjen nga jeta të Davide Tizzano, President i Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG).
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta duke e cilësuar Tizzanon si një mik të çmuar të Kosovës dhe të sportit kosovar, një udhëheqës me vizion dhe një mbështetës të palëkundur të vlerave olimpike dhe mesdhetare.
“Kontributi i tij dhe përkrahja e vazhdueshme ndaj Kosovës, veçanërisht në procesin e marrjes së organizimit të Lojërave Mesdhetare, do të mbeten të paharruara dhe do të kenë një vend të veçantë në historinë e sportit tonë”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.
Trashëgimia njerëzore dhe sportive e Davide Tizzanos, sipas Krasniqit, do të jetojë gjatë dhe do të shërbejë si frymëzim për brezat e ardhshëm të sportistëve dhe drejtuesve sportivë.
Davide Tizzano ishte kampion i dyfishtë olimpik në rowing, si dhe 17-herë kampion kombëtar i Italisë në rowing dhe në lundrim duke lënë gjurmë të pashlyeshme si në sportin elitar ashtu edhe në drejtimin institucional ndërkombëtar.
Në emër personal dhe në emër të Komitetit Olimpik të Kosovës, Presidenti Ismet Krasniqi u ka shprehur ngushëllime familjes Tizzano, bashkëpunëtorëve të tij dhe gjithë familjes së Lojërave Mesdhetare. /Kosova.info/
