Stavileci (PDK): Të dhënat nga terreni janë pozitive, kemi mbështetje të fuqishme

Blerand Stavileci nga PDK, në një konferencë për media, tha se kjo parti në këto zgjedhje të 28 dhjetorit po merr mbështetje të madhe, e që sipas tij, subjekti politik ku ai është pjesë po merr një numër votash historike.

Pos tjerash, ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që nuk e kanë ushtruar të drejtën e votës, të dalin dhe ta kryejnë obligimin e tyre, transmeton Klankosova.tv.

“Sot është një ditë e veçantë për demokracinë tonë dhe për të ardhmen e vendit tonë. Sot, qytetarët e Kosovës po vendosin me votë për drejtimin që duan t’i hapin shtetin, për mënyrën se si duan të jetojnë nesër, dhe për shpresën që duan t’u japin fëmijëve të tyre”, u shpreh Stavileci.

“Deri në këto momente, më pak se 4 orë deri në mbylljen e qendrave të votimit, të dhënat që po marrim nga terreni janë pozitive. Po na vjen mesazhe të qarta, ka mbështetje të fuqishme për ndryshim, me bindje të plotë për zhvillim, dhe për një jetesë më të mirë për secilin qytetar të Kosovës”.

“Sipas të dhënave të deritanishme, kjo ditë po shkon drejt një rezultati shumë të rëndësishëm për Partinë Demokratike të Kosovës, drejt një niveli mbështetje dhe një numri votash që për ne janë historike. Prandaj, edhe një herë, ftesa jonë është e sinqertë dhe e drejtpërdrejtë: nëse ende nuk keni votuar, mos e leni votën në shtëpi, mos e leni vendimin për të tjerët”, tha ai.

Go to TOP