KMDLNj: Faturat e rrymës mbi 70% më të larta në dhjetor, thirrje për hetim dhe protesta qytetare
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ashpër lidhur me rritjen e faturave të energjisë elektrike duke bërë të ditur se shumë qytetarë e kanë informuar këtë institucion se faturat e muajit dhjetor janë mbi 70 përqind më të larta krahasuar me muajin paraprak.
Sipas KMDLNj-së, kjo rritje është e pakuptueshme dhe e pajustifikueshme, pasi temperaturat ndërmjet muajve në fjalë nuk kanë pasur dallime të mëdha dhe qytetarët nuk kanë pasur nevojë për shpenzime shtesë të energjisë elektrike. Organizata akuzon Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRrE), të cilën e quan “ndërmarrje të strukturuar kriminale”, se që nga themelimi ka vepruar në dëm të qytetarëve dhe paguesve të rregullt të energjisë elektrike.
KMDLNj thekson se ekziston edhe vendim gjyqësor që, sipas saj, konstaton se ZRrE ka fryrë faturat në kundërshtim me ligjin dhe ka diskriminuar qytetarët në baza etnike dhe politike duke shtuar se qytetarët shqiptarë dhe joserbë asnjëherë nuk janë kompensuar për dëmet e shkaktuara.
Në reagim thuhet se Qeveria e Kosovës duke përkrahur ZRrE-në, po identifikohet si bashkëpjesëmarrëse në varfërimin e qytetarëve. Po ashtu, ngrihen dyshime për korrupsion lidhur me blerjen e energjisë elektrike me çmime të larta, licencimin e operatorëve të afërt me pushtetin dhe dhënien e monopolit të tregtimit të rrymës një oligarku serb, çka sipas KMDLNj-së përbën edhe rrezik për sigurinë e Kosovës.
KMDLNj i ka bërë thirrje Prokurorisë së Kosovës që të hetojë punën e ZRrE-së që nga fillimi i funksionimit të saj, të gjitha kontratat e shitblerjes së energjisë elektrike, dhënien e licencave monopolizuese dhe punësimet apo largimet nga puna për arsye politike.
Njëkohësisht, organizata u bën thirrje qytetarëve që të mbrojnë të drejtat e tyre ekonomike dhe sociale, të kundërshtojnë faturat jonormale të energjisë elektrike dhe të reagojnë përmes protestave qytetare duke theksuar se mungesa e reagimit vetëm sa i inkurajon, sipas tyre, keqbërësit institucionalë.
KMDLNj paralajmëron se shqyrtimi i mundshëm i kërkesave për rritje të re të çmimit të energjisë elektrike në mars 2026 do ta përkeqësonte edhe më tej gjendjen ekonomike të familjeve kosovare duke ndikuar në rritjen zinxhir të çmimeve të të gjitha produkteve dhe shërbimeve. Organizata thekson se kundërshtimi i rritjes së çmimeve duhet të bëhet pavarësisht se cila qeveri është në pushtet. /Kosova.info/
