Asnjë votë shkatërrimtarëve të Kosovës për 20 vite radhazi
Nga: Ragip Mexhuani
Kosova nuk është shkatërruar rastësisht. Është shkatërruar me politika, me deklarata publike dhe me vendime të vetëdijshme të një klase politike që për më shumë se 20 vjet ka qenë në pushtet. Këta njerëz sot sërish kërkojnë votën, sikur asgjë të mos kishte ndodhur.
Hashim Thaçi ka folur hapur për “korrigjim kufijsh”, ka deklaruar se me Vuçiqin “nuk janë djem problematikë” dhe sot dihet se ka pasur marrëveshje për ndryshim kufijsh që nga viti 2018. Xhavit Haliti e quajti rastin e Banjskës jo terrorizëm. Gazmend Muhaxheri e cilësoi gjithë rastin si inskenim të Policisë së Kosovës. Ramush Haradinaj deklaroi se Radoiçiqi ishte “mik shtëpie”, ndërsa Albin Kurtin e etiketonte si “Albin Serbia”.
Nga ana tjetër, Avdullah Hoti kërkoi rikthimin e marrëveshjes së Uashingtonit, të nënshkruar më 4 shtator 2020, marrëveshje që një ditë më pas e kërkoi edhe vetë Vuçiqi, sepse ishte në favor të Serbisë. Kjo marrëveshje u festua në Beograd bashkë me Grenellin. I njëjti Grenell, bashkë me opozitën, kontribuoi në rrëzimin e Qeverisë Kurti 1.
Deklarata skandaloze nuk kanë munguar as nga figura të tjera. Kujtim Shala e shau kryeministrin në parlament. Hikmete Bajrami deklaroi se nuk e ka problem Listën Serbe, por Albin Kurtin, ndërsa gjatë kohës sa ishte ministre janë keqpërdorur miliona euro. Blerta Deliu Kodra i quajti terroristë shqiptarët e vrarë në Kumanovë. Halil Matoshi dhe të tjerë mohuan gjenocidin serb në Kosovë. Baton Haxhiu u mburr me bashkëpunim me shërbime serbe.
Në planin shtetëror, u dhanë mijëra hektarë tokë Malit të Zi dhe Maqedonisë. U krijua një veri i izoluar etnikisht. U shty decentralizimi, u hap rruga për Asociacionin, u dhanë zona të mbrojtura për kisha e manastire dhe Kosova u mbush me mini-shtete brenda vetes.
Në planin ekonomik, u shkatërrua bujqësia dhe industria. Mbi 1500 fabrika u shuan, makineritë u shitën për skrap, toka bujqësore u uzurpua nga ndërtime pa plan. Sot ekspertët paralajmërojnë se deri në vitin 2050, Kosova do të ketë vetëm 4 ari tokë për banor, nga 56 sa kishte para luftës.
Kjo është trashëgimia e partive që sunduan për 20 vjet. Kjo është arsyeja pse ato nuk meritojnë më asnjë votë. Kosova duhet të fitohet nga krahu perëndimor, nga Vetëvendosje, lista Guxo dhe partitë aleate të saj. Jo sepse janë të përsosura, por sepse alternativa është rikthimi i atyre që e copëtuan shtetin dhe ia morën të ardhmen gjeneratave që vijnë.
Kjo nuk është thirrje emocionale. Është kujtesë. Dhe përgjegjësi qytetare.
