Freiburg ndal Dortmund në barazim

Freiburg i ka dhënë fund një serie prej shtatë humbjesh radhazi ndaj Borussia Dortmund, duke barazuar 1-1 në “Europa-Park Stadion”, në një ndeshje të vlefshme për Bundesliga.

Dortmund e ka nisur ndeshjen më mirë dhe ka krijuar disa raste në pjesën e parë. Serhou Guirassy dhe Carney Chukwuemeka kanë qenë pranë golit, por pa sukses.

Presioni i mysafirëve është shpërblyer pas gjysmë ore lojë, kur Ramy Bensebaini ka shënuar për 0-1, pas një goditje nga afërsia.

Në pjesën e dytë, ndeshja ka marrë tjetër rrjedhë. Vetëm tetë minuta pas rifillimit, Dortmund ka mbetur me një lojtar më pak, pasi Jobe Bellingham është ndëshkuar me karton të kuq direkt. Freiburg e ka rritur presionin dhe është shpërblyer pesëmbëdhjetë minuta para fundit, kur Lucas Höler ka realizuar, duke barazuar rezultatin.

Freiburg ka pasur edhe një gol të anuluar për pozitë jashtë loje në minutat e fundit dhe është dashur të kënaqet me një pikë.

Me këtë barazim, Freiburg ngjitet në vendin e nëntë, ndërsa Dortmund mbetet i treti në tabelë.


Go to TOP