Zariqi akuzon Rizvanollin për keqinformim: Nënstacioni i Malishevës ishte planifikuar që në vitet 2017-2018
Nebih Zariqi, ish-anëtar i Bordit Ekzekutiv të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli duke i cilësuar ato si keqinformim të hapur dhe në kundërshtim me faktet e verifikueshme.
Sipas Zariqit, nënstacioni i ri 220/35/10(20) kV për Malishevën ka qenë i paraparë që në vitet 2017–2018, mirëpo realizimi i tij është vonuar për shkak të zhvillimeve institucionale brenda KOSTT-it. Ai thekson se në periudhën 2018–2020, KOSTT ka mbetur pa Bord Drejtues, gjë që ka sjellë ngecje të investimeve kapitale.
Zariqi sqaron se në vitin 2020, KOSTT kishte rreth 72 milionë euro fitim të mbajtur, mjete këto të destinuara për investime kapitale. Në të njëjtin vit, pas zgjedhjes së Bordit të Drejtorëve, është miratuar plani i investimeve kapitale, ku përfshihej edhe projekti i nënstacionit të Malishevës. Sipas tij, në këtë plan ishte insistuar të përfshiheshin edhe projekte tjera kritike, si Klina dhe disa “fyte të ngushta” në sistemin energjetik.
Megjithatë, ai pohon se këto mjete nuk janë përdorur për zhvillimin e projekteve të planifikuara, por janë shfrytëzuar për mbulimin e energjisë elektrike të shpenzuar në veriun e Kosovës, konkretisht në katër komunat me shumicë serbe. Kjo, sipas Zariqit, i ka pamundësuar KOSTT-it realizimin e projekteve strategjike.
“Duke e ditur si Ministre e Ekonomisë se si kanë rrjedhur këto procese, dalja publike pa treguar realitetin është e papranueshme,” ka deklaruar Zariqi duke shtuar se “gënjeshtra nuk është politikë shtetërore”.
Ai vlerëson se si pasojë e këtyre vendimeve, KOSTT ka mbetur më së shumti mbrapa në periudhën 2021–2025, krahasuar me çdo periudhë tjetër. Zariqi thekson se kjo histori duhet të tregohet ashtu siç ka ndodhur, pa manipulim të të dhënave.
Sipas tij, dokumentet e bashkangjitura, përfshirë planin e biznesit të KOSTT-it, dëshmojnë qartë se nënstacioni i Malishevës ka qenë i planifikuar, ndërsa postimet publike të Ministres Rizvanolli, sipas Zariqit, nuk e pasqyrojnë realitetin. /Kosova.info/
