Bajrami: Kurti ka gënjyer për çdo numër – fundi i tij politik ka nisur
Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj deklarimeve të kryeministrit Albin Kurti duke e akuzuar për mashtrime të hapura dhe për dështime në çdo sektor të qeverisjes. Ajo thotë se Kurti ka gënjyer “pa iu dridhur qerpiku” kur ka folur për ekonominë, diplomacinë, arsimin dhe shëndetësinë duke e quajtur përgjegjës për “rrënimin” e vendit.
Bajrami thotë se Kurti po tenton të relativizojë praninë e “Mafias Energjetike” në rajon, por kur bëhet fjalë për Kosovën, ai ua hedh fajin kompanive private, ndonëse energjia është sektor i rregulluar me ligj. Sipas saj, vetëm gjatë këtij viti importi i energjisë ka arritur në 247 milionë euro duke shtuar se ka raste kur transporti i vetëm një MWh për Kosovën ka kushtuar deri në 800 euro. Ajo thekson se kompania EFT e Vuk Hamoviqit mban monopol në kapacitetet ndërkufitare të transportit.
Ajo e akuzon Kurtin se ka marrë përgjegjësinë për mijëra kontrata njëburimore, për vjedhjen e strukturuar të rezervave shtetërore, ndërsa në të njëjtën kohë, sipas saj, ka mbrojtur tregtarin e energjisë Martin Berishaj dhe ish-kreun e KOSTT-it, Nagip Krasniqi duke sulmuar organet e drejtësisë.
Bajrami e quan Kurtin “mashtrues” duke thënë se ai ka ricituar ish-ministrat, por në fund ka cituar edhe vetveten duke shtuar se nuk ka thënë “asnjë të vërtetë, asnjë të vetme”. Ajo sjell në vëmendje, gjithashtu, pretendimet e saj se Kurti ka shpërndarë informata të rreme edhe për vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Në përfundim, Bajrami thekson se “fundi politik i Albin Kurtit ka nisur më 9 shkurt dhe përfundon më 28 dhjetor” duke shtuar se kryeministri është në panik sepse “kurrë më nuk do të jetë Kryeministër”. /Kosova.info/
