Rama: Shqiptaro-amerikanët, ura e përhershme e miqësisë Kosovë-SHBA
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur urimet dhe mbështetjen e tij të plotë për Robert Lulgjurajn, i cili ka shpallur kandidimin për Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Rama e cilësoi këtë hap si një mundësi të jashtëzakonshme për fuqizimin e mëtejshëm të komunitetit shqiptaro-amerikan në jetën publike të SHBA-ve.
Në një vizitë simbolike, Rama dhe Lulgjuraj janë takuar në të njëjtin vend ku, gjatë vitit 1999, biznesmeni dhe atdhetari Bruno Selimaj hapi dyert për të ndihmuar Kosovën në momentet më të vështira. Pikërisht në këtë vend, Selimaj, bashkë me Kumrije Selimajn, Mark Gjonajn, Avni Mustafën, Elmi Berishën, Ilir Zherkën dhe shumë veprimtarë të tjerë, organizuan mbledhjen e fondeve që ndihmuan popullin e Kosovës gjatë luftës.
Rama rikujtoi se në atë kohë ishte një i ri vullnetar në SHBA, i angazhuar me gjithë zemër për të mbështetur vendin që ishte detyruar ta linte në vitin 1992. Ai tha se aty e ka parë me sytë e tij se si brezat e komunitetit shqiptaro-amerikan kishin punuar pareshtur për të ndërtuar ura të forta miqësie me SHBA-të, ura që sot përbëjnë shtyllë të marrëdhënieve strategjike të Kosovës.
Kryetari i Prishtinës theksoi se këto lidhje nuk janë krijuar rastësisht, por me sakrificë, solidaritet, punë të palodhur dhe dashuri të thellë për atdheun. Ai u shpreh mirënjohës për të gjithë kontributin historik dhe të pandërprerë të komunitetit shqiptaro-amerikan.
Duke e parë kandidimin e Robert Lulgjurajt si vazhdim të kësaj tradite, Rama tha se ai përfaqëson një shembull të shkëlqyer të integritetit, të përkushtimit qytetar dhe të përgjegjësisë publike. Sipas tij, Lulgjuraj do ta mbajë me dinjitet zërin e komunitetit shqiptar në SHBA dhe do të ndihmojë në forcimin e marrëdhënieve të veçanta mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
“Me bindje, me dashuri për atdheun dhe si kryetar i Kryeqytetit të Republikës së Kosovës, shpreh mbështetjen time për çdo angazhim që fuqizon zërin e shqiptaro-amerikanëve”, deklaroi Rama.
Ai i uroi Lulgjurajt suksese në garën e tij duke e përmbyllur mesazhin me urime dhe simbolikën e trefishtë të flamujve, të Kosovës, SHBA-ve dhe Shqipërisë. /Kosova.info/
