Dy ditë rivalitetesh në Superligën e Basketbollit
Federata e Basketbollit të Kosovës ka publikuar orarin zyrtar të ndeshjeve për javën e 9-të në ProCredit Bank Superligë, ku pritet një fundjavë e mbushur me duele interesante dhe rivalitete tradicionale.
Java hapet me përballjen mes Rahovecit 029 dhe Bashkimit, e cila do të zhvillohet sot në ora 17:00. Të dy skuadrat kërkojnë pikë të rëndësishme për të përmirësuar pozitat në tabelë.
Kurse në mbrëmje vazhdon me një ndeshje gjithashtu shumë të rëndësishme, ku Bora pret në shtëpi Sigal Prishtinën në ora 19:30, një duel që pritet me interes të veçantë nga tifozët.
Të dielën hapet programi me një derbi tradicional mes Trepçës dhe Vëllaznimit, ndeshje që starton në ora 17:00. Atmosfera pritet të jetë elektrizuese në palestrën e mitrovicasve.
Java mbyllet me superduelin mes Golden Eagle Yllit dhe GO+ Pejës, në ora 19:30, takim që konsiderohet një nga sfidat kryesore të javës duke parë formën dhe objektivat e skuadrave.

