Belgjika kundër planit të BE-s për asetet ruse për Ukrainën

Belgjika ka akuzuar Bashkimin Evropian se po “minimizon” shqetësimet e saj lidhur me një plan për përdorimin e aseteve të ngrira ruse që mbahen në Evropë për të mbështetur Ukrainën.

“Ne vazhdojmë të kërkojmë një alternativë, konkretisht që BE-ja t’i marrë shumat e nevojshme përmes huamarrjes në tregje,” thotë ministri i Jashtëm belg, Maxime Prévot.

Propozimi i BE-së, i cili është mbështetur nga kancelari gjerman Friedrich Merz, parashikon që 140 miliardë euro asete shtetërore ruse të mbajtura në Belgjikë të shndërrohen në një “hua dëmshpërblimi” për të mbështetur financiarisht Kievin, vitin e ardhshëm, raporton AP.

Shumica e vendeve të BE-së e mbështesin planin dhe disa kanë kritikuar belgët për bllokimin e tij. Belgjika argumenton se një veprim i tillë do të rrezikonte një marrëveshje paqeje në afat të shkurtër dhe do të sillte rrezikun e padive ligjore nga Rusia në të ardhmen.

Rusia e ka dënuar propozimin dhe një nga bankierët e saj më të lartë ka kërcënuar BE-në me 50 vite procese gjyqësore nëse ideja bëhet realitet.

Komisioni Evropian pritet të paraqesë mënyra për zgjidhjen e bllokimit, por Maxime Prévot ka ankimuar se teksti që do të hidhet në tryezë të mërkurën “nuk i adreson shqetësimet tona në mënyrë të kënaqshme”.

Vendet e BE-së tashmë i kanë përdorur fitimet e gjeneruara nga rreth 210 miliardë euro asete të ngrira ruse për të financuar mbrojtjen e vazhdueshme të Ukrainës pas pushtimit të plotë në shkurt të vitit 2022.

Por përdorimi i vetë aseteve ka qenë shumë më i diskutueshëm.

Udhëheqësit e BE-së pritet të votojnë për huanë e dëmshpërblimit në një samit në Bruksel më vonë këtë muaj, por nuk është aspak e qartë nëse do të arrihet një marrëveshje.

Belgjika ka qenë kritikja më e zëshme e skemës, sepse shumica e aseteve të ngrira nga BE-ja, rreth 185 miliardë euro mbahen në Euroclear, depozituesi qendror i letrave me vlerë me seli në Bruksel.

Qeveria belge argumenton se ajo do të mbante barrën kryesore të çdo padie ligjore nga Rusia nëse në të ardhmen do të shfaqeshin probleme nga një hua e BE-së për Ukrainën e financuar me këto asete.


Go to TOP