Kryeziu: LDK s’ka të drejtë morale të flasë për bllokadën – partia po kthehet në një imitim të zbehur të LVV-së
Profesori Kadri Kryeziu ka reaguar ashpër ndaj deklarimeve të fundit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke thënë se kjo parti “s’ka të drejtë morale” të flasë për bllokadën institucionale 9-mujore të vitit 2014. Sipas tij, deklaratat e ish-ministres së Financave, Hykmete Bajrami, e bëjnë të pamundur çdo pretendim të LDK-së për të qenë palë e pafajshme në atë proces.
Kryeziu kujtoi se Bajrami kishte pranuar publikisht se LDK “nuk ka votë për asnjë kandidat të LVV” dhe se posti i Kryetarit të Kuvendit “duhet t’i kalojë një partie tjetër”. Sipas tij, kjo nënkupton se LDK donte t’i mohonte partisë së parë të drejtën kushtetuese të nominimit, duke përbërë kështu thelbin e asaj bllokade politike. “Gjykata Kushtetuese e rrëzoi qartë këtë qasje,” tha ai.
Profesori theksoi se në atë periudhë ishte vetëm PDK ajo që “doli mbi vetveten” dhe vendosi të hyjë në marrëveshje institucionale për të mos e mbajtur vendin peng. “PDK bëri atë që LDK nuk e bëri dot: e ndau interesin e shtetit nga interesat partiake,” u shpreh Kryeziu.
Në vlerësimin e tij, LDK e udhëhequr nga Lumir Abdixhiku është trasformuar në një pasqyrë të impulseve politike që, sipas tij, Vetëvendosje i ka tejkaluar prej vitesh. “Në çdo reagim, akuzë apo argument, LDK duket si një kopje e zbehur e LVV-së së dikurshme — e zemëruar, e bllokuar, reaktive — pa asnjë lidhje me frymën gjithëpërfshirëse, strategjike dhe shtetformuese të LDK-së historike,” theksoi ai.
Kryeziu e përmbylli reagimin e tij duke thënë se sot LDK nuk po ofron alternativë të vërtetë politike, por “vetëm imitim”, dhe se “imitimi i hidhur rrallë prodhon besueshmëri politike”./Kosova.info/
