Bajrami: Më 28 dhjetor vendi çlirohet nga mashtruesit – opozita nuk ju ka bllokuar asnjë ditë
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka akuzuar ashpër Qeverinë Kurti duke thënë se propaganda e Vetëvendosjes për “bllokada nga opozita” nuk po u kalon më qytetarëve. Sipas saj, për çdo dështim të këtyre pesë viteve, qeveria ka kërkuar fajtorë të jashtëm, edhe pse ka pasur të gjitha nivelet e pushtetit nën kontroll.
Bajrami ka kujtuar se Vetëvendosja dikur premtonte “mrekullira” kur të vinte në Qeveri, ndërsa sot, sipas saj, vetëm vajton e ankohet: “Na pengoi opozita, na bllokoj opozita.” Ajo pyet se si është e mundur që opozita t’i ketë bllokuar, kur pikërisht mungesa e numrave e bën opozitën të pafuqishme në vendimmarrje.
Ajo thekson se opozita nuk i ka penguar qeverinë t’i ndërtojë 160 çerdhet e premtuara, nuk e ka detyruar ta lirojë çmimin e energjisë, as ta heqë TVSH-në nga produktet bazë. Po ashtu, sipas saj, opozita nuk i ka ndalur investimet infrastrukturore, të cilat janë projekte të nisura vite më parë.
Bajrami thekson se opozita nuk i ka futur sanksionet ndaj Kosovës, nuk ka ndikuar në ndërprerjen e dialogut strategjik me SHBA-në dhe nuk ka qenë ajo që ka çuar vendin në korrupsion e kontrata njëburimore.
Duke iu referuar ngërçit politik pas zgjedhjeve, Bajrami rikujton se qytetarët e dinë shumë mirë se kush i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit dhe kush e la vendin të bllokuar për 9 muaj deri në zgjedhjet e reja.
Në fund, ajo u bën thirrje qytetarëve që të mos nënvlerësohen nga retorika e qeverisë: “Më 28 dhjetor, vendi çlirohet nga mashtruesit. Ani kishe patriota!”. /Kosova.info/
