Muriqi shënon dy herë, por Mallorca lëshon fitoren

Vedat Muriqi ka shënuar dy gola, por në fund Mallorca ka barazuar 2-2 ndaj Osasuna në një ndeshje dramatike në “Son Moix”.

Dueli mes dy skuadrave që luftojnë për t’i shpëtuar zonës së rrezikut ka nisur e tensionuar, me pak raste dhe shumë kujdes në lojë.

Mallorca e ka pasur mundësinë më të mirë në pjesën e parë, kur Johan Mojica ka asistuar për Samu Costa, por ky e ka humbur rastin duke gjuajtur keq.

Pjesa e dytë ka nsiur me sulmin e skuadrës së Mallorca. Jan Virgili është ndalur me faull nga Flavien Boyomo dhe gjyqtari ka akorduar penallti. Vedat Muriqi është treguar i saktë nga pika e bardhë, duke shënuar në këndin e djathtë të portës. Sulmuesi kosovar e ka realizuar edhe golin e dytë pak minuta më vonë, pas një kundërsulmi të shpejtë dhe asistimi nga Virgili, duke e dyfishuar epërsinë e Mallorca.

Kur gjithçka dukej e sigurt, Mallorca ka filluar të lëshojë terren. Osasuna e ka ngushtuar rezultatin pas një kombinimi mes Ruben dhe Raul García, i cili ka shënuar për 2-1. Në minutën e 92-të, mbrojtja e Mallorca është hutuar sërish dhe Boyomo ka realizuar për 2-2, duke u marrë vendasve fitoren nga duart.

Me këtë barazim, Osasuna vazhdon pa fitore në udhëtim këtë sezon, ndërsa Mallorca humb një mundësi të artë për t’u ngjitur në pjesën e sipërme të tabelës.


Go to TOP