Rama: Prishtina u bë kuq e zi në festën e 28 nëntorit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se kryeqyteti mbrëmë u shndërrua në një atmosferë madhështore kuqezi, teksa mijëra qytetarë festuan bashkë 28 nëntorin – Ditën e Flamurit, ditëlindjen e heroit legjendar Adem Jashari dhe daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në sheshin “Skënderbeu”, nën tingujt e bendit të njohur Jericho, janë mbledhur qytetarë nga e gjithë Kosova për të kremtuar njërën nga ditët më domethënëse të kombit shqiptar. Rama theksoi se kjo festë e përbashkët dëshmon unitetin dhe krenarinë kombëtare që Prishtina e reflekton çdo vit në këtë datë historike.
Sipas tij, atmosfera festive, flamujt kuqezi dhe pjesëmarrja masive e qytetarëve e kthyen mbrëmjen në një moment të paharrueshëm për kryeqytetin dhe për gjithë shqiptarët. /Kosova.info/
