Abdixhiku prezanton Janina Ymerin si kandidate për Kuvend: Zëri që sfidoi mafian energjetike, tani në listën e LDK-së
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar sot se aktivistja e njohur e partisë, Janina Ymeri, do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit. Abdixhiku e cilësoi Ymerin si shembullin më të denjë të aktivistes politike moderne duke e vlerësuar rolin e saj në denoncimin e skandalit të madh në sektorin energjetik.
Sipas Abdixhikut, Janina Ymeri ka qenë një nga zërat më të guximshëm publikë që ka shpalosur lidhjet korruptive dhe miliona eurot e qytetarëve të Kosovës që, siç u shpreh ai, “përfunduan në llogaritë e Vuk Hamovićit – të birit të ish-shefit të Armatës Jugosllave, Rade Hamović”. Ai akuzoi qeverinë aktuale për mashtrim popullist dhe për lidhje me “mafian energjetike”, ndërsa theksoi se Ymeri ka qenë ndër të vetmet që kërkoi llogari pa frikë dhe pa kalkulim politik.
“Janina është aktivistja që pushteti nuk e tremb, propaganda nuk e blen dhe padrejtësia nuk e hesht,” tha Abdixhiku. “Ajo vjen në politikë nga beteja për të vërtetën dhe përballja me korrupsionin. Ky vend ka nevojë pikërisht për njerëz të tillë.”
Ai shtoi se LDK është “shtëpia e njerëzve të drejtë, të guximshëm dhe profesionalë”, të cilët politikën e shohin si mjet për të shërbyer vendin, jo interesat personale.
Me përfshirjen e Janina Ymerit në listën zgjedhore, Abdixhiku tha se integriteti dhe angazhimi i saj duhet të përfaqësohen edhe në Kuvend duke e cilësuar kandidaturën e saj si një vlerë të shtuar për politikën kosovare.
“Është koha që zëri i saj të dëgjohet aty ku merren vendimet,” përfundoi ai. /Kosova.info/
