Hamiti: Pesë vite qeverisje e VV-së, dëm historik për Kosovën – koha për t’i ndarë rrugët më 28 dhjetor
Muhamet Hamiti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar ashpër ndaj qeverisjes së Vetëvendosjes duke e cilësuar mandatin e VV-së si “më të keqin në historinë e vendit”. Ai theksoi se qeveria e Albin Kurtit ka sjellë pasoja të rënda për Kosovën duke filluar nga procesi i dialogut e deri te sanksionet e Bashkimit Evropian.
Sipas Hamitit, viti 2023 ishte veçanërisht i dëmshëm, pasi qeveria pranoi “marrëveshjen më të keqe” në dialog me Serbinë, që sipas tij nënkupton vetëmenaxhim dhe autonomi politiko-territoriale për serbët, në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Ai shtoi se pasojat u reflektuan edhe me sanksione të ashpra nga BE-ja, që i kushtuan vendit qindra milionë euro humbje në fonde zhvillimore.
Hamiti akuzoi gjithashtu VV-në se pas zgjedhjeve të shkurtit 2025 ka bllokuar funksionimin kushtetues të institucioneve qendrore duke paralizuar Kuvendin dhe Qeverinë. Ai e përshkroi periudhën pesëvjeçare të kësaj qeverisjeje si epokë të polarizimit të thellë shoqëror, korrupsionit qeveritar, varfërimit të qytetarëve dhe dobësimit të shtetit.
Në përfundim, Hamiti u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që më 28 dhjetor 2025 të ndajnë rrugët me Vetëvendosjen, të cilën e cilësoi si formacion politik me pasoja katastrofale për vendin. Ai u shpreh se Albin Kurti “nuk mund ta kamuflojë realitetin e hidhur” dhe as t’i fajësojë qeveritë e mëhershme për, siç tha, dështimet e veta kolosale. /Kosova.info/
