Krasniqi: Prurjet e reja në LDK – më shumë dekor politik sesa fuqi e vërtetë elektorale

Gazetari dhe njohësi i zhvillimeve në vend, Ilir Krasniqi, në një prononcim për Kosova.info, ka komentuar aderimet e fundit në Lidhjen Demokratike të Kosovës duke theksuar se prurjet e reja në prag të zgjedhjeve po shërbejnë më tepër si vitrina dekoruese të partive politike sesa si vlera reale për forcimin e tyre.

Sipas Krasniqit, partitë politike pa dallim kanë futur në “marshin e katërt” procesin e aderimeve të reja, mirëpo mbetet e paqartë se sa mund të kontribuojnë këto figura që, siç thotë ai, shpesh ngrihen mbi bazën e lobimit dhe jo mbi rezultat konkret politik. “Prurjet e reja funksionojnë si një formë marketingu, që në rastin më të mirë mund t’i sjellin përfitim LDK-së, por po ashtu mund të kthehen në barrë nëse më vonë shfaqin pakënaqësi – një fenomen i përsëritur ndër vite,” deklaron ai.

Krasniqi vlerëson se shumica e aderimeve aktualisht po shihen si figura dekorative, të përdorura kryesisht për të mbështetur liderin e partisë, pa cenimin e pushtetit të tij të brendshëm. “Kjo është arsyeja pse promovohen kaq shpejt – sepse nuk paraqesin rrezik për hierarkinë e partisë,” shton ai.

Ai paralajmëron se ky fenomen mund të krijojë edhe irritim brenda strukturave ekzistuese, të cilat shpesh ndihen të margjinalizuara përballë të ardhurve që marrin pozicione pa rezultate apo kontribute të dëshmuara. “Praktika tregon se këto figura nuk shihen si konkurrentë në idetë politike, por vetëm në pozicionet që mund të marrin,” thotë Krasniqi.

Gazetari shton gjithashtu se profesionistët me përvojë të gjatë rrallë pranojnë t’i bashkohen një partie pa një interes të qartë dhe të shpejtë. Sipas tij, në shumë raste, këto prurje u janë imponuar vetë liderëve duke marrë status, por edhe duke mbetur peng i manovrave të tyre politike.

Në fund, Krasniqi ngre një pikëpyetje të rëndësishme: cili është raporti mes peshës reale të prurjeve të reja dhe figurave të larguara, si rasti i Agim Veliut apo të tjerëve me përvojë të gjatë brendapartiake? Ai thotë se këto trendë të marketingut politik nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht fuqinë reale në terrenin elektoral dhe se nga përvoja e deritanishme shumica e aderimeve të tilla janë jetëshkurtra duke përfunduar madje me bilanc negativ. “Kemi qindra shembuj kur emra të rinj, pasi nuk marrin pozicionet e synuara, dalin publikisht kundër partisë,” përfundon Krasniqi. /Kosova.info/

Go to TOP