Ramadani flet për ndeshjen me Shkëndijën: Ndeshja më e vështirë
Trajneri i Dritës, Zekrija Ramadani, ka deklaruar se skuadra është plotësisht e gatshme për ndeshjen ndaj Shkëndijës në Conference League.
Trajneri shkupjan e ka vlerësuar ndeshjen si më të vështirën për Dritën.
Ai ka nënvizuar se Shkëndija ka bërë paraqitje shumë të mira në Evropë dhe se përballja mes dy skuadrave shqiptare e bën takimin edhe më të veçantë.
“Besoj shumë te ekipi. Jemi rikthyer të kompletuar dhe çdo lojtar që merr formacionin do të japë maksimumin”, ka thënë ai, duke kujtuar fitoren e rëndësishme në Dublin, pavarësisht mungesave.
Ramadani ka shtuar se tifozëritë e të dyja skuadrave pritet të sjellin një atmosferë të jashtëzakonshme në tribuna, ndërsa në fushë pret një “luftë sportive”, ku të dy ekipet synojnë fitoren.
Ai është shprehur se fokusi i Dritës është vetëm te tri pikët dhe jo te premitë financiare.
Edhe kapiteni Rron Broja ka thënë se Drita e njeh shumë mirë Shkëndijën dhe e ka vlerësuar atë si skuadër cilësore, por ka theksuar se gjilanasit kanë kapacitet të plotë për ta fituar ndeshjen.
“Synimi ynë është fitorja. Besojmë te cilësia jonë dhe do të japim gjithçka në fushë”, është shprehur Broja.
Ai ka shtuar se një rezultat pozitiv do ta afronte shumë Dritën me fazën e “play off”.
