Sektori minerar drejt kolapsit: LBK dhe Shoqata e Gurthyesve kërkojnë ndërhyrje urgjente nga KPMM
Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) dhe Shoqata e Gurthyesve janë takuar me kryesuesin e Bordit të KPMM-së, Habib Basholli, për të diskutuar krizën e thellë në të cilën ka hyrë sektori minerar për shkak të bllokadave administrative, procedurave të zgjatura dhe mosvazhdimit të licencave. Delegacioni, i udhëhequr nga Besart Dreshaj, paraqiti shqetësimet për rrezikun e falimentimit të kompanive, humbjen e fuqisë punëtore dhe humbjet e mëdha financiare që po shkaktohen çdo ditë.
Koordinatori Gezon Berisha paraqiti 8 kërkesa urgjente, duke përfshirë: rishikimin e ligjit të ri për pronën, vazhdimin e licencave për kompanitë që i plotësojnë kushtet, rikthimin e ankesave në shkallën e dytë brenda KPMM-së, mundësinë e pagesave me këste dhe heqjen e kërkesave të panevojshme komunale. Edhe përfaqësuesit Brahim Selimaj dhe Faton Nuredini paralajmëruan se shumë kompani tashmë kanë ndalur punën.
KPMM premtoi se do të përshpejtojë procedurat, do të eliminojë barrierat administrative dhe do të trajtojë disa nga kërkesat në mbledhjen e ardhshme të bordit. U dakordua gjithashtu organizimi i një takimi të gjerë ndërinstitucional me ministritë përkatëse për të gjetur zgjidhje afatgjata.
Në fund, LBK paralajmëroi se nëse kërkesat legjitime nuk adresohen, bizneset do të mbrohen me çdo mjet demokratik.
