SPERTK: Greva do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave – punëtorët e RTK-së po mbajnë barrën e neglizhencës menaxheriale
Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) ka falënderuar të gjithë punëtorët e Transmetuesit Publik të Kosovës për pjesëmarrjen dhe solidaritetin e treguar gjatë aksioneve sindikale, si dhe mediat e tjera dhe asociacionet e gazetarëve për mbështetjen dhe raportimin korrekt mbi situatën e rëndë financiare në të cilën gjenden punëtorët e RTK-së.
Pavarësisht mungesës së pagave dhe vonesave të pajustifikueshme në financim, punëtorët e RTK-së po vazhdojnë me përkushtim misionin e tyre publik. SPERTK njofton se greva dy-orëshe do të vazhdojë, ashtu siç është paralajmëruar, deri në përmbushjen e të gjitha kërkesave legjitime të punëtorëve.
Sindikata ka reaguar ashpër ndaj deklarimit të ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm, i cili e ka cilësuar grevën si “politike”. SPERTK e konsideron këtë vlerësim të pavend dhe të papranueshëm duke theksuar se greva është tërësisht sindikale dhe e mbështetur në të drejtat themelore të punëtorëve, të cilët prej muajsh po përballen me kushte të rënda sociale dhe profesionale. Përveç kësaj, sindikata vë në pah se mbetet e paqartë në çfarë cilësie po bën deklarata UD-ja duke krijuar huti te punëtorët dhe opinioni publik.
Më tej, SPERTK kritikon menaxhmentin për mungesë transparence duke shtuar se punëtorët asnjëherë nuk janë njoftuar për hapat e ndërmarrë për sigurimin e mjeteve financiare. Sipas sindikatës, situata po rrezikon të përsëritet ashtu si tri muaj më parë duke dëshmuar “neglizhencë, paaftësi dhe vetëkënaqësi” nga ana e drejtuesve të institucionit.
Sindikata rikujton se asnjëherë nuk ka reaguar ndaj procesit të zgjedhjes së Bordit apo menaxhmentit të RTK-së, pavarësisht vërejtjeve të ngritura nga palë të tjera. Sipas saj, kjo vërteton se SPERTK ka vepruar gjithmonë në mënyrë të paanshme duke mbrojtur ekskluzivisht interesat e punëtorëve dhe funksionimin e shëndoshë të shërbimit publik.
Në fund, SPERTK bëhet thirrje menaxhmentit dhe institucioneve relevante që të hapin dialog të sinqertë dhe të ndërmarrin veprime urgjente për të garantuar stabilitetin financiar të RTK-së, kushtet dinjitoze të punës dhe respektimin e të drejtave themelore të punëtorëve. /Kosova.info/
