Përplasja Hoti–Sejdiu për autobusët e Prishtinës: Akuza për gënjeshtra, bllokada dhe kërcënime me padi

Debati i vitit 2017 rikthehet me tension – Hoti akuzon për shpifje, Sejdiu flet për bllokadë politike ndaj Prishtinës dhe paralajmëron rrezik për rendin ligjor

Hoti: Dardan Sejdiu po gënjen, nëse s’kërkon falje do ta padis

Ish-ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ish-nënkryetarit të Prishtinës, Dardan Sejdiu, lidhur me procesin e blerjes së autobusëve për Trafikun Urban në vitin 2017.

Hoti tha se Sejdiu “po gënjen me vetëdije” duke theksuar se ai e di që problemi nuk ka qenë në Qeverinë e Kosovës, por në Komunën e Prishtinës, e cila sipas tij nuk i ka kryer obligimet ligjore për garantimin e kredisë.

“Ai dhe shefi i tij nuk e nxorën vendimin e Kuvendit të Komunës që garantonte pagesën e kredisë. Sapo vendimi u miratua, marrëveshja u procedua në Qeveri,” theksoi Hoti.

Ai shtoi se kauza e atëhershme e Vetëvendosjes për autobusët kishte qenë “politike, e ulët dhe e ndyrë kundër LDK-së, Kryeministrit Isa Mustafa dhe meje si ministër.”

Hoti paralajmëroi padi ndaj Sejdiut nëse ky i fundit nuk kërkon falje publike. “E kam toleruar atëherë, por jo sot. Nëse nuk kërkon falje, do ta padis për shpifje.”

Sejdiu: Autobusët u bllokuan dy vjet nga qeveria qendrore vetëm se projekti ishte i Prishtinës

Nga ana tjetër, ish-nënkryetari i Prishtinës, Dardan Sejdiu, reagoi duke kujtuar betejën shumëvjeçare për blerjen e 51 autobusëve, të cilët sipas tij u bllokuan nga Qeveria për dy vite rresht.

Ai akuzoi pushtetin qendror të asaj kohe, të udhëhequr nga LDK, se e zvarriti qëllimisht projektin për arsye politike.

“Autobusët nuk u mbajtën në letra për mungesë parash apo dokumentesh, por sepse qeveria qendrore refuzonte me nënshkru. Ishte bllokadë politike e pastër,” deklaroi Sejdiu.

Ai tha se vetëm protesta dhe presioni i qytetarëve e detyruan Qeverinë të tërhiqej.

“Qyteti nuk pranoi me u nënshtru.”

Duke lidhur situatën e atëhershme me krizën aktuale të transportit publik, Sejdiu akuzoi Qeverinë Kurti se po përdor Prishtinën si peng politik për votimin e buxhetit.

“Kjo është strategji: krijo krizë, fajëso të tjerët dhe paraqitu si shpëtimtar,” theksoi ai duke paralajmëruar se po cenohet rendi ligjor dhe kushtetues.

Sipas tij, qytetarët duhet të reagojnë, ashtu si në vitin 2017. “Kur qytetarët flasin, pushteti ndalet. Prishtina nuk guxon me mbetë peng i askujt.” /Kosova.info/

Go to TOP