Murati sulmon Abdixhikun: Po bën fushatë, jo punë – rrezikuan buxhetin, pagat dhe shërbimet esenciale
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ashpër ndaj kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku duke e akuzuar se po merret me fushatë zgjedhore në vend se t’i përgjigjet pyetjes thelbësore: pse LDK-ja nuk e votoi buxhetin e Prishtinës për vitin 2025.
Sipas Muratit, Abdixhiku po shmang debatin për çështjen kyçe dhe po zhvendos vëmendjen te zgjedhjet e 28 dhjetorit. Ai thotë se mosvotimi i buxheteve nuk godet asnjë parti, por prek drejtpërdrejt qytetarët.
“Ky veprim vetëm sa e vërteton atë që e thashë më herët: këta nuk e kanë hallin te qytetari,” shkroi Murati. Ai shtoi se po të ishte interesi i qytetarëve përpara politikës, LDK-ja do të kishte votuar jo vetëm buxhetin e Prishtinës, por edhe atë të RTK-së dhe buxhetin e shtetit për vitin 2026.
Murati paralajmëroi se bllokimi i buxheteve rrezikon pagat, pensionet dhe shumë shërbime esenciale duke e cilësuar veprimin e opozitës si të papërgjegjshëm.
“E turpshme, Lumir!”, përfundoi ai reagimin e tij duke e përshkallëzuar debatin politik teksa vendi po i afrohet zgjedhjeve të 28 dhjetorit. /Kosova.info/
