Mbi 40 të lënduar nga përplasja e dy trenave në Çeki
Dhjetëra persona janë lënduar si pasojë e përplasjes së dy trenave mëngjesin e së enjtes në Çeki.
Njëri nga trenat ishte lokal i udhëtarëve, ndërsa tjetri ishte tren i shpejtë, apo ekspres. Ngjarja ndodhi mes qytezës Zliv dhe fshatit Divice në rajonin Çeské Budjovice.
Shtatë ekipe shpëtimi dhe një helikopter u dërguan në vendin e aksidentit. Po ashtu, katër inspektorë hekurudhorë u dërguan për të hetuar shkakun e aksidentit, nëse ai lidhet me gabim njerëzor, defekt teknik apo problem sistemi.
Katër persona me lëndime serioze, nëntë me lëndime më të lehta dhe 25 të tjerë me lëndime të lehta u transportuan drejt spitaleve nga ekipet emergjente, ka bërë të ditur guvernatori i Rajonit të Bohemisë Jugore.
Linja hekurudhore pas aksidentit u mbyll, ndërsa kjo pjesë nuk ka të instaluar Sistemin Evropian për Kontrollin e Trenave (ETCS), i cili është një sistem sigurie i njohur.
Ky aksident është i fundit nga disa të tilla që kanë ndodhur kohët e fundit në Evropë. Të dielën, 13 persona u lënduan pas përplasjes së dy trenave në Sllovaki, ndërsa më 13 tetor, dy trena të shpejtë u përplasën po ashtu në Sllovaki, ku u lënduan dhjetëra udhëtarë, përfshirë dy në gjendje të rëndë.
Në Poloni, ditët e fundit ndodhën dy aksidente të ngjashme, njëri me shpërthim në hekurudhë dhe tjetri me dëmtime në infrastrukturën mbi hekurudhore.
