Rama me kërkesë urgjente ndaj Qeverisë: Bllokada e Ministrisë së Financave rrezikon shërbimet publike në Kryeqytet
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka drejtuar sot një kërkesë urgjente për Kryeministrin në detyrë duke ngritur shqetësimin për bllokadën financiare të shkaktuar nga Ministria e Financave. Ai tha se, pavarësisht kërkesave të shumta zyrtare, mungesa e përgjigjes dhe veprimeve ka vënë në rrezik funksionimin normal të shërbimeve publike në Kryeqytet.
Rama theksoi se kërkesat e Komunës së Prishtinës janë të qarta, të ligjshme dhe të domosdoshme për vazhdimin e punës institucionale:
Alokimi i plotë i të hyrave vetanake, sipas ligjit;
Zbatimi i vlerave të miratuara për Ndarjen Buxhetore 2025.
Ai ka cilësuar si të papranueshme që qytetarët e Prishtinës të mbeten peng i dinamikave dhe luhatjeve politike në nivel qendror. Sipas tij, përgjegjshmëria institucionale kërkon reagim të menjëhershëm nga Qeveria në detyrë për të shmangur një krizë të panevojshme në shërbimet publike të kryeqytetit.
“Veprimi duhet të vijë tani,” ka theksuar Rama duke u bërë thirrje institucioneve qendrore të përmbushin obligimet e tyre ligjore dhe financiare ndaj Komunës së Prishtinës. /Kosova.info/
