Krasniqi falënderon qytetarët për përkrahjen: Edhe pse 5 vite në paraburgim, çlirimtarët tanë mbeten të pathyeshëm
Altin Krasniqi, djali i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi, ka reaguar pas protestës të së shtunës në Strasburg, ku mijëra qytetarë kërkuan drejtësi për të akuzuarit e Hagës.
Ai njoftoi se fundjavën e kaloi në Hagen, në një vizitë tek babai i tij duke thënë se megjithëse fizikisht nuk ishte i pranishëm në Strasburg, me zemër ishte bashkë me të gjithë protestuesit.
“Edhe pse fizikisht nuk isha me ju në Strasburg, me zemër ishim të gjithë së bashku duke kërkuar drejtësi. Ju falënderoj secilin veç e veç për përkrahjen, kohën, angazhimin dhe forcën që na keni dhënë në këtë periudhë kaq të vështirë,” shkroi ai.
Altin Krasniqi theksoi se të akuzuarit e Hagës vazhdojnë të mbeten të pathyeshëm, pavarësisht pesë viteve të kaluara në paraburgim.
“Një gjë është e sigurt: edhe pse tash e 5 vite në paraburgim, çlirimtarët tanë mbeten të pathyeshëm e krenarë, dhe shumë shpejt do të kthehen të lirë në vendin e tyre,” u shpreh ai duke falënderuar qytetarët për solidaritetin e vazhdueshëm. /Kosova.info/
