Sulmet ndaj sistemit të drejtësisë nuk sjellin të vërtetën
Shkruan: Naza KRASNIQI
Drejtësia nuk funksionon pa ndërgjegje.
Ditëve të fundit po shohim reagime të shumta, ku secila palë po e sulmon sistemin e drejtësisë, duke e quajtur të kapur politikisht sa herë që një rast i prek interesat e tyre. Por në këtë zhurmë të akuzave, harrojmë një të vërtetë të thjeshtë: drejtësia nuk vendoset me deklarata, por me prova dhe procedura të qarta ligjore.
Nëse dikush është i pastër me ligjin, drejtësia do ta nxjerrë të pafajshëm. Nëse ka shkelje, ajo do t’i zbulojë. Por reagimet e ngutshme dhe etiketimet paraprake krijojnë vetëm konfuzion, presion publik dhe dëmtim të besimit tek institucionet.
Shpesh ndërgjegjja juridike përzihet me politikë dhe emocione. Ligjin e kujtojmë vetëm kur na duhet:
kur dikush na shkel të drejtat — për t’u mbrojtur;
kur ne ia shkelim të tjerëve — për t’u arsyetuar.
Por nuk mund të kërkojmë drejtësi duke e sulmuar vetë drejtësinë. Nuk mund të kërkojmë institucione të forta duke i delegjitimuar ato sa herë nuk na pëlqen një vendim.
Drejtësia është parim, jo mjet politik.
Shëndeti i demokracisë matet me durim, me prova dhe me respektimin e procesit ligjor, jo me nxitim e akuza të ditës.
Le të presim që institucionet të flasin me fakte. Vetëm atëherë e kuptojmë të vërtetën dhe e ruajmë integritetin e shtetit.
