Manxhuka: Gabimi teknik në Mitrovicë nuk ndikon në integritetin e procesit zgjedhor
Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka reaguar pas shqetësimeve të ngritura lidhur me raportimet për një gabim teknik në procesin e shtypjes së fletëvotimeve në Komunën e Mitrovicës së Jugut.
Në reagimin e tij, Manxhuka ka sqaruar se, sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, numri i përgjithshëm i fletëvotimeve të shtypura është evidentuar saktë dhe nuk ka asnjë mospërputhje në procesin e shpërndarjes apo verifikimit të tyre.
“Është me rëndësi të theksohet se numri i përgjithshëm i fletëvotimeve të shtypura është evidentuar saktë. Për më tepër, për secilin vendvotim, fletëvotimet e shtypura kanë numra serikë të shënuar në pjesët amë të fletëvotimeve, të cilët përputhen plotësisht me numrin e fletëvotimeve të pranuara dhe të verifikuara deri më tani në Qendrën Komunale të Mitrovicës së Jugut dhe Gjakovës,” ka thënë Manxhuka.
Ai ka shtuar se ky gabim teknik nuk ndikon në asnjë mënyrë në integritetin e procesit të votimit apo numërimit të votave. “Fletëvotimet përmbajnë elemente të shumta sigurie që garantojnë se ato nuk mund të falsifikohen apo kopjohen,” ka theksuar zëdhënësi i VV-së.
Sipas tij, reagimet e nxituara dhe pretendimet për manipulime janë të pabazuara dhe synojnë të hedhin hije dyshimi mbi një proces që, siç tha ai, është zhvilluar me standarde të larta demokratike. /Kosova.info/
