Miftaraj akuzon Kurtin dhe LVV për shpërdorim të pushtetit dhe blerje votash
Ehat Miftaraj nga KDI-ja ka kritikuar qeverinë dhe kryeministrin Albin Kurti për keqpërdorim të pushtetit dhe praktika korruptive në prag të zgjedhjeve. Sipas Miftarajt, qeveria aktuale po shkel ligjin duke ofruar 100 euro për secilin student si dhuratë në kohë fushate parazgjedhore, një shifër që ai e konsideron pjesë të një skeme korrupsioni prej 26 milionë eurosh.
“Deputeti Kurti nuk ka problem të shkelë ligjin për 26 milionë euro, ku përfshihen edhe 100 euro për çdo student, por nuk ndan buxhetin për RTK duke pretenduar se ‘kujdeset’ të mos e shkel ligjin”, ka deklaruar Miftaraj.
Ai shton se Albin Kurti dhe LVV janë “kampionë të korrupsionit, keqpërdorimit të pushtetit dhe autoritetit zyrtar”, dhe se këto afera korruptive paketohen si sundim i ligjit. Miftaraj propozon që Prokuroria Speciale të krijojë një Task Force për të hetuar këto shkelje dhe korrupsion endemik qeveritar.
Reagimi vjen në një kohë kur qytetarët dhe studentët po kritikojnë praktikën e dhurimit të parave para zgjedhjeve si një formë presioni politik dhe blerjeje votash. /Kosova.info/
