Ifete Çeku reagon ashpër ndaj Dimal Bashës: Protestoj në emër të çdo viktime të luftës sonë çlirimtare

Diplomatja Ifete Çeku, njëherësh motra e komandantit të UÇK-së dhe ish-kryeministrit të Kosovës, Agim Çeku, ka reaguar ashpër ndaj një deklarate të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha.

Në një reagim emocional dhe të fuqishëm, Çeku ka shprehur indinjatën e saj duke thënë se proteston në emër të çdo viktime të luftës çlirimtare të Kosovës dhe çdo qytetari që vuajti nën regjimin e Millosheviqit.

“Protestoj ndaj kësaj deklarate të Kryetarit të Kuvendit të Kosovës Dimal Basha. Protestoj në emër të çdo viktime të luftës tonë çlirimtare. Protestoj në emër të të gjitha viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës tonë çlirimtare. Në emër të punëtorëve të arsimit e të çdo punëtori të larguar nga puna gjatë viteve të 90-ta, e të çdo familje që mbeti pa bukën e gojës… Protestoj në emër të çdo nxënësi të helmuar, në emër të çdo të riu që u vra në protesta gjatë atyre viteve nën thundrën e regjimit të Millosheviqit. Protestoj në emër të të burgosurve politik. Protestoj në emër të çdo luftëtari që ra me krenari për lirinë dhe demokracinë e Kosovës. Protestoj për gjakun e martirëve të luftës çlirimtare që u vranë dhe masakruan vetëm pse qëndruan stoikë në vatrat e tyre. Protestoj në emër të të masakruarve të Izbicës, Reçakut, Qyshkut e Lubeniqit… Protestoj në emër të babës tim që regjimi i Millosheviqit ia preu kokën, e vrau dhe e dogji bashkë me mijëra shqiptarë të tjerë të Kosovës.”

Çeku theksoi se këto plagë nuk janë vetëm pjesë e kujtesës kolektive, por përvoja të përjetuara personalisht nga ajo dhe familja e saj.

“Protestoj se jam pjesë e këtyre vuajtjeve, i kam ndjerë në lëkurën time të gjitha këto drama të shkaktuara mua, familjes time dhe popullit tim nga regjimi i Millosheviqit. Protestoj me krenari që jam bijë e këtij populli që luftoi kundër regjimit të Millosheviqit nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – UÇK.” /Kosova.info/


Go to TOP