Seancë në Gjykatën Supreme për padinë e OEK-ut kundër ZRRE-së
Në Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës është mbajtur seanca gjyqësore lidhur me padinë e iniciuar nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), që ka të bëjë me daljen e detyrueshme të bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike.
Avokati i OEK-ut, Ekrem Hoxha, duke arsyetuar kërkesën për anulimin e vendimit të ZRRE-së, ka deklaruar se komuniteti i bizneseve ka qenë i papërgatitur për një ndryshim kaq të madh dhe se procesi është zhvilluar në kundërshtim me ligjin.
“Paditësi, përkundër që ka pasur obligim ligjor, ka shkelur ligjin, këtu vjen në shprehje paligjshmëria, meqë e njëjta ka pasur detyrim ligjor të kryejë një analizë, të cilën nuk e ka bërë dhe nuk e ka bërë me vetëdije të plotë, duke shmangur obligimin ligjor dhe duke krijuar favore për një operator privat si KESCO, si dhe disa operatorë të tjerë të licencuar në këtë fushë, për të kamufluar kinse konkurrencën reale në treg”, ka theksuar ai.
Sipas tij, konkurrenca reale në treg nuk ekziston, pasi operatorët e tjerë nuk garantojnë furnizim me energji elektrike dhe nuk i përgjigjen kërkesave të konsumatorëve.
“Vetë ligji për energjinë elektrike në hyrje të tij potencon se është në përputhje të pjesshme me direktivat e BE-së, dhe thirrja e paditurës se liberalizimi është detyrim nga këto direktiva është vetëm një referim i zbehtë për të arsyetuar një vendimmarrje të marrë nga ZRRE”, ka deklaruar ai.
Përfaqësuesi ligjor i ZRRE-së, Ymeridin Misini, e kundërshtoi në tërësi padinë, duke e cilësuar si të pabazuar në ligj dhe në fakte.
“ZRRE e kundërshton në tërësi padinë si të pabazuar në ligj dhe në akte. Të gjitha aktet e kontestuara janë nxjerrë në kompetencat ligjore të ZRRE-së, të përcaktuara nga Ligji për ZRRE dhe Ligji për energji elektrike. Si institucion i pavarur, ZRRE ka vepruar në përputhje me parimet e pavarësisë, transparencës, konkurrencës së lirë dhe mbrojtjes së konsumatorëve, sipas Kushtetutës, me qëllim të zhvillimit të tregut të energjisë në mënyrë konkurruese, transparente dhe jo diskriminuese”, ka theksuar ai.
Sipas tij, Gjykata Supreme tashmë ka konstatuar me aktvendim se kërkesa për masë sigurie është e palejueshme, çka sipas tij dëshmon mungesën e bazës ligjore për pranimin e padisë.
Avokati i OEK-ut, në replikë, kërkoi nga gjykata që padia të aprovohet si e bazuar në ligj, duke bërë ndryshim në kërkesë për ta zëvendësuar fjalën “shfuqizohet” me “anulohet”.
Në fund të seancës, përfaqësuesi i ZRRE-së ritheksoi se procesi i liberalizimit është detyrim ligjor dhe ndërkombëtar i Kosovës.
Kryetarja e trupit gjykues ka njofuar se palët do të informohen me vendimin e gjykatës brenda afatit ligjor.
Seanca, në të cilën u diskutua për procesin e liberalizimit të tregut, u karakterizua herë pas here edhe me ndërprerje të energjisë elektrike.
