Niniq denoncon plagosjen e Milan Vukashinoviq: Pyetje publike për autoritetet serbe
Avokati Ivan Niniq njoftoi se Milan Vukashinoviq, 39 vjeç, u plagos rëndë nga një të shtënë gjatë fundjavës në fshatin Jelakce pranë Leposaviqit. Aktualisht, ai po lufton për jetën në Qendrën Klinike Universitare të Nishit, ndërsa detajet e incidentit nuk janë bërë publike deri më tani.
Në një postim në rrjetin social X, Niniq i bëri publike pyetje Presidentit Aleksandar Vuçiq, Ministrit të Mbrojtjes Bratislav Gashiq dhe Drejtorit të VBA-së Gjura Jovaniq lidhur me rrethanat e sulmit. Ai kërkoi të sqarohet nëse Vukashinoviqi u qëllua nga prapa, nëse pjesëtarë të Forcave të Armatosura Serbe me uniforma pa shenja dalluese morën pjesë në incident dhe nëse në “operacionin e gjuetisë” morën pjesë edhe persona të tjerë.
Avokati kërkoi gjithashtu detaje për gjendjen mjekësore të Vukashinoviq: nëse i është hequr veshka e majtë dhe indi kardiak, nëse plumbi mbetet ende në shtyllën kurrizore, sasinë e gjakut të humbur gjatë transportit nga Prokuplje në Nish dhe nëse pasojat e plagëve mund ta lënë të paralizuar.
Ai ngriti pyetje procedurale për hetimin e incidentit: kush e ka kryer, kur dhe çfarë ndodhi me automjetin e Milanit, një Lada Niva. Niniq paralajmëroi se publiku nuk duhet të mbetet pa informacion duke pyetur retorikisht: “A menduat se kjo do të mbulohej? A mendoni se askush nuk do të përgjigjet kurrë?”
Derisa detajet për sulmuesit dhe rolin e mundshëm të autoriteteve serbe mbeten të paqarta, Policia e Kosovës ka konfirmuar incidentin dhe pretendon se Vukashinoviqi u plagos dhe u rrëmbye nga Xhandarmëria Serbe. Autoritetet serbe ende nuk kanë bërë asnjë koment zyrtar.
