Gani Geci: Vëllai im, Fadili, do të kandidojë për deputet nga LDK – simbol i qëndresës dhe luftëtar kundër krimit

Aktivisti i njohur i çështjes kombëtare, Gani Geci, ka njoftuar se vëllai i tij, Fadil Geci, do të jetë kandidat për deputet në zgjedhjet e ardhshme nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Në një reagim të fuqishëm publik, Geci e ka cilësuar këtë vendim si vazhdimësi të qëndresës dhe përkushtimit të familjes Geci ndaj idealeve të LDK-së dhe çështjes kombëtare.

“Politika është arti i së mundshmes. Shahu është loja e njerëzve të mençur. Vëllai ynë, Fadil Geci, do të jetë kandidat për deputet nga radhët e LDK-së, parti për të cilën kemi derdhur edhe gjak,” ka shkruar ai.

Geci theksoi se ata që qëndrojnë në bindjet e tyre janë më të fortë se ata që lëkunden sipas interesave politike duke e përshkruar Fadil Gecin si simbol të qëndresës, guximit dhe ndershmërisë politike.

“Fadili kurrë nuk ua ka lëshuar rrugën kriminelëve e hajnave. Ai gjithmonë u ka dalë në ballë sfidave, fillimisht kundër Serbisë, e më pas kundër hajdutëve të Hashim Thaçit dhe strukturave të SHIK-ut,” ka theksuar ai.

Sipas Ganit Geci, të qëndrosh është e vështirë, ndërsa të ikësh e të fshihesh është e lehtë duke nënvizuar se familja Geci ka zgjedhur gjithmonë rrugën e parë – atë të qëndresës dhe ballafaqimit me padrejtësitë.

Në fund, ai ka bërë thirrje publike për mbështetje të kandidaturës së vëllait të tij: “Ftoj të gjithë shokët dhe miqtë tanë ta mbështesin përfaqësuesin e familjes Geci, vëllain tonë Fadil Geci, i cili në zgjedhjet e ardhshme do të jetë kandidat për deputet nga radhët e LDK-së.” /Kosova.info/


Go to TOP