Gjinovci: Rritja e pagave dhe pensioneve nuk është blerje votash, por keqkuptim logjik dhe politik

Analisti dhe aktivisti Rron Gjinovci ka reaguar ndaj akuzave se rritja e pagave, pensioneve dhe shtesave nga Qeveria përbën “blerje votash” duke i cilësuar këto pretendime si shkurtpamësi dhe mungesë logjike.

Në një reagim publik, Gjinovci thekson se konceptualisht, blerja e votës kërkon një marrëveshje të drejtpërdrejtë midis blerësit dhe shitësit, gjë që mungon në rastin e rritjeve të përgjithshme të pagave apo përfitimeve sociale.

“Shit-blerja e ka si parakusht një marrëveshje. Pra, blerësi i kërkon shitësit diçka në këmbim të parave. Në rastin e rritjes së pagave, pensioneve dhe shtesave, nuk ekziston marrëveshja. Qeveria ndan para, por nuk ka asnjë detyrim për neve me i dhanë asaj diçka si këmbim,” ka shkruar Gjinovci.

Ai ka shtuar se në këtë rast mungon ‘shitësi’, pasi përfitimet u shpërndahen të gjithë qytetarëve pa dallim partiak.

“Për shit-blerje duhen dy palë, blerësi dhe shitësi. Këtu kemi ‘dhurues’, ndërsa shitësi nuk ekziston. Pagat, pensionet dhe shtesat rriten për të gjithë votuesit. Për më tepër, paratë që ndan qeveria nuk janë të saj, por të qytetarëve – janë taksat e tyre,” ka shtuar ai.

Në përfundim, Gjinovci thekson se kjo politikë ekonomike nuk mund të konsiderohet blerje votash, pasi nuk ka shkëmbim të drejtpërdrejtë mes “parave dhe votës”, dhe përfitimet mbeten të vlefshme për të gjithë, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve.

“Me supozu që qytetarët e Kosovës blehen kaq lehtë përmes ridistribuimit të taksave të tyne, është me pasë pasiguri te oferta jote si parti opozitare. Nëse oferta jote sfidohet kaq lehtë, atëherë rishikoje ofertën (programin),” ka përfunduar ai. /Kosova.info/

Go to TOP