Fadil Geci rikthehet në garën politike: Kandidat për deputet nga radhët e LDK-së në Skënderaj

Fadil Geci ka zyrtarizuar rikthimin e tij në garën politike duke njoftuar se do të jetë kandidat për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), përfaqësues i degës në Skënderaj.

Në një njoftim publik, Geci ka bërë të ditur se vendimi është marrë pas konsultimeve dhe mbështetjes unanime të familjes së tij, veçanërisht të vëllezërve, si dhe të shokëve, miqve dhe simpatizuesve të shumtë të familjes Geci.

“Pas vendimit unanim të vëllezërve, shokëve, miqve dhe të gjithë dashamirëve të mi dhe të familjes Geci, unë, Fadil Geci, kam vendosur që të pranoj ofertën për ta përfaqësuar degën e LDK-së në Skënderaj dhe të jem kandidat për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës,” ka deklaruar ai.

Geci ka theksuar se beson fuqishëm në potencialin e LDK-së dhe synon të kontribuojë në rikthimin e partisë në pozitën që e meriton në skenën politike të vendit.

“Me përkrahjen e fuqishme të familjes sime – në veçanti të vëllezërve të mi – si dhe me mbështetjen e shokëve, miqve dhe mijëra simpatizuesve të familjes Geci, besoj fuqishëm se do t’ia dalim ta çojmë LDK-në në vendin që e meriton! Na priftë e mbara dhe Zoti e bekoftë Kosovën,” ka përfunduar ai.

Ky vendim shënon një rikthim të rëndësishëm të Fadil Gecit në politikë, figurë e njohur e LDK-së dhe e skenës politike të Kosovës që nga para dhe paslufta. /Kosova.info/


Go to TOP