UP kërkon rrënimin e një ndërtese të paligjshme në kampusin qendror: U ndërtua natën, pa leje

Universiteti i Prishtinës ka reaguar publikisht duke i bërë apel Drejtorisë së Inspekcionit në Komunën e Prishtinës dhe të gjitha organeve ligjzbatuese që të verifikojnë menjëherë lejen ndërtimore për një shtesë objekti të ndërtuar brenda kampusit qendror, pranë objektit të Administratës Qendrore të UP-së.

Sipas njoftimit zyrtar, ndërtimi është realizuar gjatë natës të së shtunës, më 25 tetor 2025, pa paralajmërim dhe me materiale të forta ndërtimore duke ngritur dyshime serioze për ligjshmërinë e tij.

Universiteti kujton se për punime të dyshimta në të njëjtën hapësirë kishte njoftuar Inspekcionin e Komunës së Prishtinës edhe më 23 shtator 2025, ndërsa edhe në natën e 25 tetorit kishte informuar për ndërtimin në fjalë. Drejtori i Inspekcionit, bashkë me zyrtarë të UP-së, kanë dalë në vendin e ngjarjes më 27 tetor për të parë nga afër situatën.

UP kërkon që në rast se objekti i ndërtuar nuk posedon leje ndërtimore, ai të rrënohet menjëherë dhe hapësira të rikthehet në gjendjen e mëparshme, siç ka qenë para shtatorit të këtij viti.

Në njoftim, Universiteti paralajmëron gjithashtu se në atë pjesë të kampusit mund të zhvillohen veprimtari të dyshimta që nuk lidhen me aktivitetet akademike e kërkimore, çka shton nevojën për ndërhyrje të institucioneve përgjegjëse.

“Universiteti i Prishtinës mbetet i përkushtuar që hapësirat e tij të përdoren ekskluzivisht për mësimdhënie dhe kërkim shkencor, në shërbim të së mirës publike dhe zhvillimit ekonomik të vendit”, thuhet në fund të reagimit. /Kosova.info/

Go to TOP