Tuneli në Dardani shndërrohet në skenë kulturore: më 31 tetor aktivitete artistike nga “Kultura House”
Kryeqyteti Prishtina ka njoftuar se më 31 tetor 2025, në një segment të tunelit në lagjen Dardania, do të zhvillohen aktivitete kulturore të organizuara nga “Kultura House”.
Për shkak të përgatitjeve teknike dhe sigurisë së qytetarëve, gjysma e tunelit – nga segmenti që shpie drejt shkollës “Xhemajl Mustafa” deri te hyrja e tunelit – do të mbyllet përkohësisht për qarkullimin e mjeteve.
Mbyllja do të nisë nga ora 08:00 e mëngjesit dhe do të zgjasë deri pas përfundimit të aktivitetit dhe pastrimit të hapësirës publike. Pjesa tjetër e rrugës do të mbetet e lirë për qarkullim.
Aktivitetet kulturore do të nisin nga ora 20:00, me performanca muzikore e artistike duke sjellë një atmosferë festive dhe energji të re kulturore në Dardani.
Sipas njoftimit, Drejtoria e Shërbimeve Publike, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Drejtorinë e Kulturës, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për mbarëvajtjen e organizimit dhe sigurinë e pjesëmarrësve.
Kryeqyteti fton qytetarët të marrin pjesë në këtë ngjarje të veçantë që e kthen hapësirën urbane të tunelit në një skenë të hapur arti dhe bashkëpunimi kulturor. /Kosova.info/
