Rama ndan fjalën e Rubin: `Liria ka emër`

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka ndarë në rrjetet social Facebook, deklaratën e ish-ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit, James P. Rubin, në lidhje me gjyqin ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë.

“Shpallja fajtorë e luftëtarëve për liri do të ishte një tragjedi,” citon Rama, duke iu referuar fjalëve të James Rubin, të shprehura në një intervistë për median.

Ish-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, James P. Rubin, i cili ka dëshmuar para Dhomave të Specializuara të Hagës, ishte kategorik në një intervistë të dhënë gazetës Ilva Tare në podcastin Balkans Debrief.

Sipas Rubin, një vendim dënues ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe drejtuesve të tjerë të UÇK-së do të ishte një “tragjedi reale” si për Kosovën ashtu edhe për drejtësinë ndërkombëtare. Ai argumentoi se këta individë luftuan për lirinë e vendit të tyre.

“Lutem që kjo mos të ndodhë, pasi ka për qenë një tragjedi reale për njerëzit që luftuan, ku disa prej tyre dhanë jetën për liri dhe për ata njerëz që sot përfaqësojnë miliona kosovarë dhe shqiptarë,” theksoi Rubin.

Rubin paralajmëroi se dënimi i ish-krerëve të UÇK-së “pa asnjë provë” do të shkaktonte një dëm afatgjatë. Ai e quajti një vendim të tillë “një plagë e tmerrshme e sistemit ligjor” dhe një pengesë për ata që në të ardhmen do të kërkonin ngritjen e një gjykate tjetër ndërkombëtare.


Go to TOP