Dreshaj: Bizneset kosovare po luftojnë për mbijetesë, ekonomia në rrezik nga mungesa e vendimmarrjes

Besart Dreshaj nga Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka ngritur alarmin për gjendjen e rënduar ekonomike në vend duke thënë se bizneset kosovare po përballen çdo ditë me vështirësi të mëdha për mbijetesë, ndërsa ekonomia e vendit po kërcënohet seriozisht.

Sipas tij, situata ekonomike po përkeqësohet nga dita në ditë dhe po reflektohet në çdo biznes e familje. Ai theksoi se, ndonëse inflacioni zyrtarisht qëndron në nivelin 4.7 për qind, ndikimi i tij real është shumë më i lartë duke rritur ndjeshëm koston e jetesës dhe të prodhimit.

“Importet janë rritur ndjeshëm, ndërsa eksportet kanë pësuar rënie të vazhdueshme. Kjo tregon se ekonomia jonë po humbet konkurrueshmërinë dhe bazën prodhuese,” tha Dreshaj.

Ai shtoi se situata është rënduar edhe më tej me rritjen enorme të çmimit të energjisë elektrike, pas kalimit të bizneseve në të ashtuquajturin “treg i lirë energjetik”, një model që në praktikë po sjell ngarkesa të papërballueshme për prodhuesit vendorë. “Shumë kompani po detyrohen të reduktojnë aktivitetin ose të shkurtojnë vendet e punës,” paralajmëroi ai.

Në anën tjetër, Dreshaj kritikoi ashpër mungesën e vendimmarrjes institucionale duke theksuar se marrëveshjet ndërkombëtare që do të sillnin investime dhe zhvillim janë bllokuar me muaj të tërë në Kuvend, gjë që po shkakton humbje të miliona eurove për ekonominë e Kosovës.

“Sot rrezikohemi të hyjmë në një cikël të ri krizash, sepse po flitet për bllokim të buxhetit të shtetit. Nëse vendi shkon drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme, pasojat financiare do të jenë të rënda – shteti do të mbetet pa buxhet funksional, dhe qindra projekte zhvillimore do të ndalen,” theksoi ai. /Kosova.info/


Go to TOP