Hamiti: Prishtinasit do ta votojnë përsëri Përparim Ramën më 9 nëntor
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Hamiti, ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të qeverisë Kurti duke i quajtur shkelje të ligjeve dhe të Kushtetutës.
“Qytetarët e Prishtinës dhe të gjithë Kosovës i kanë identifikuar shkelësit e ligjeve dhe të Kushtetutës – Albin Kurtin me shokë si Hekuran Muratin, Hajrullah Çekon e të tjerë si këta. Këta deputetë të VV-së i kanë uzurpuar postet ministrore tash e një gjysmë viti duke bllokuar buxhetin e Prishtinës dhe të komunave të tjera për të pamundësuar funksionimin e tyre. Aq u bën Kurtit me shokë për mirëqenien e qytetarëve,” ka deklaruar Hamiti.
Ai ka theksuar se qytetarët do të dinë t’i ndëshkojnë me votë “ndëshkuesit e vet” duke përmendur Hajrulla Çekon si shembull të dështimit.
“Sot, Çeko kërkon votë nga prishtinasit pasi i bllokoi kundërligjshëm projektet madhore për qytetin. Për çka kërkon votë? Për ta katandisur Prishtinën siç e kanë katandisur Kosovën Albin Kurti me Qeverinë e tij të Vetëvendosjes,” shtoi ai.
Në përmbyllje, Hamiti tha se më 9 nëntor, qytetarët e Prishtinës do të konfirmojnë besimin te kryetari aktual:
“Qytetarët do ta votojnë përsëri Përparim Ramën, njeriun që punon për prishtinasit, jo kundër tyre, si Hajrulla Çeko, që yje polare i ka Albin Kurtin dhe Dejona Mihalin.” /Kosova.info/
