Pse humbi LDK-ja pa balotazh në Podujevë
Shkruan: Sami VELIU
Në pamje të parë, shumë mund të mendojnë se humbja e LDK-së në Podujevë është rezultat i rritjes së LVV-së apo popullaritetit të Shpejtim Bulliqit. Por në fakt, humbja e LDK-së në Llap është një rrjedhojë e prishjes së brendshme, e një “njeti të keq” dhe e një strategjie të gabuar që nisi nga kryesia qendrore e partisë, për ta eliminuar politikisht Agim Veliun dhe ekipin e tij.
A ishte i padrejtë eliminimi i Agim Veliut
Agim Veliu me të gjitha të mirat dhe të këqijat e tij, nuk ishte vetëm një funksionar i LDK-së; ai ishte simbol i qëndrueshmërisë politike në Podujevë dhe një nga figurat e fundit të gjeneratës rugoviane që ruante lidhjen historike me bazën tradicionale të partisë.
Përjashtimi i tij nga të gjitha strukturat, në mënyrë anti-staturore dhe pa respekt ndaj kontributit të tij 30-vjeçar, u perceptua si padrejtësi, si tradhti brenda shtëpisë.
Në një parti si LDK-ja, ku lojaliteti dhe respekti për figurat themeluese janë pjesë e ADN-së politike, një veprim i tillë i ktheu shumë aktivistë dhe simpatizantë të vjetër kundër qendrës.
Rrënimi i strukturës lokale tradicionale
Pas përjashtimit të Veliut, LDK-ja në Podujevë pësoi një “spastrim politik” të brendshëm – u zëvendësuan njerëzit me përvojë, me aktivistë të rinj të përzgjedhur sipas besnikërisë ndaj kryetarit të partisë dhe jo sipas kontributit apo peshës elektorale.
Kjo e shkatërroi rrjetin organik që LDK-ja kishte ndërtuar për tri dekada në çdo fshat e lagje të komunës. Struktura që më parë punonte për LDK-në, kësaj radhe qëndroi pasive ose abstenuese në zgjedhje.
Arroganca politike e qendrës
Qasja e Lumir Abdixhikut dhe Ekrem Hysenit ndaj strukturës së Podujevës u pa si përbuzëse, një tentim për ta “riformatuar” LDK-në duke injoruar bazën.
Në vend që të ndërtonin ura, ata i dogjën ato. Në vend të bashkimit, imponuan përjashtim. Ky stil drejtimi, i bazuar në eliminim dhe jo në integrim, krijoi ndarje të thella në elektoratin llapjan të LDK-së.
Dënimi nga votuesit tradicionalë
LDK-ja në Podujevë ka pasur gjithmonë një trupë votuese të qëndrueshme dhe besnike, që nuk voton sipas modës politike, por sipas ndjenjës së përkatësisë dhe respektit ndaj vlerave rugoviane.
Këta votues, edhe nëse nuk kaluan te LVV-ja, zgjodhën të mos dalin në votime – si formë ndëshkimi ndaj qasjes përjashtuese të lidershipit aktual. Kjo abstinencë elektorale është realisht ajo që e dëmtoi më shumë LDK-në.
Pasojat politike
Si rezultat, LDK-ja humbi jo vetëm një komunë të rëndësishme historikisht, por edhe një bastion moral e simbolik të saj.
Në Podujevë, kjo humbje nuk u lexua si fitore e LVV-së, por si dënim i qartë ndaj Lumir Abdixhikut e Ekrem Hysenit dhe politikës së tyre përçarëse.
Në terma më të gjerë, ajo paralajmëron rrezikun e një LDK-je që po humb rrënjët e saj tradicionale – lidhjen me bazën, me frymën rugoviane dhe me njerëzit që e ndërtuan.
Përfundim
LDK-ja në Podujevë nuk humbi nga kundërshtarët politikë, por nga vetvetja, nga mungesa e bashkimit, nga përjashtimi i njerëzve me kontribut dhe nga egoja e disa individëve që e vunë interesin personal mbi interesin e partisë.
Nëse LDK-ja dëshiron të rikthejë besimin e qytetarëve, duhet të fillojë pikërisht nga aty ku gaboi: nga rivendosja e unitetit, respektit dhe bashkëpunimit me figurat që i dhanë emër e identitet partisë, për më shumë se 3 (tri) dekada.
