Për ta kthyer jetën, duhet kthyer dashurinë mes njerëzve!

Shkruan: Florim ZEQA

Pa dashuri nuk ka jetë, pa dashuri nuk ka shpresë, pa dashuri nuk ka gjallëri dhe riprodhim, pa dashuri nuk ka respekt dhe mirësjellje ndërmjet njerëzve. Dashuria është një motiv i jetës dhe i shpresës. Dashuria është ndjenjë e fuqishme shpirtërore për familjen, për rrethin shoqëror, për komb dhe atdhe. 

Dashuri e tretur mes njerëzve në Kosovë 

Të gjithë jemi dëshmitarë të humbjes së dashurisë mes njerëzve në vendin tonë, të humbjes së respektit dhe moralit njerëzor!

Për ta kthyer dashurinë e tretur duhet larguar djallin (dreqin) apo urrejtjen mes njerëzve, e cila e ka arritur kulminacionin në shoqërinë tonë!

Djalli i moçëm tek shqiptarët, edhe pse i vjetër sa vetë lashtësia e kombit tonë, asnjëherë nuk ka qenë me aktiv sesa në ditët e sotme!

Shkaku i plakjes, djalli nuk po mundet me shkuar larg, ka mbetur mes vëllezërve të një gjaku, në të shumtën e rasteve mes vëllezërve të të njëjtëve prind biologjik!

Ky nuk është fenomen i ri ndër shqiptarë.

Për ta kuptuar më mirë dhe më qartë punën e djallit, po ua tregoj një ngjarje të vërtetë të fillim viteve të ’90-ta.

Ishte koha kur të Pamet për raste të vdekjeve të familjarëve mbaheshin me nga 3-4 ditë e deri një javë, e në disa raste edhe me nga dy javë, varësisht prej rajonit apo rrethanave familjare.

Ne nga fshati ynë shkuam në mënyrë të organizuar për ngushëllime në një fshat të Lugut të Baranit (komuna e Pejës).

Ishte e Pame e madhe, ishte një hoxhë në mesin e pritësve, i cili sipas zakonit ju drejtua kryeplakut të fshatit tonë që ta merr fjalën, por ai nuk deshi të flas! Mirëpo hoxha insistonte dhe nuk e linte rehat, duke e nxitur që të flas.

Me mençuri e shtini fol prijësin tonë, duke ju drejtuar me këto fjalë, po citoj: “Mixhok a e din kur ka me u ba mirë në Kosovë?”

Kryeplaku ynë, ia kthejë: “Jo nuk e di hoxhë”!

Pastaj hoxha i tha, po citoj: “Atëherë kur të zgjohesh në mëngjes, e sheh vëllain tënd në oborr, i thue mirëmëngjesi, por të duket pak kjo përshëndetje dhe shkon dhe e përqafon”!

Në atë moment kryeplaku ynë bërtiti me zë të lartë: “Haj medet për neve çka na paska gjet, po s’paska me u ba mirë kurrë, se edhe 100 vjet mos u largoftë Serbia prej këtuhit unë vëllain tim nuk e përqafoj”!

Në atë moment u krijua një situatë e paparashikueshme gazmore në të Pame! 

Urrejtje dhe xhelozi e pashpjegueshme mes shqiptarëve në trojet etnike 

Vërtetë asokohe nuk kam mundur ta imagjinoj se do të vije dita që vëllezërit dhe kushërinjtë do të armiqësohen kaq shumë me njëri-tjetrin në Kosovë!

Sa herë që dëgjoj për ngatërresa dhe mosmarrëveshje mes vëllezërve, më kujtohet ajo ngjarje ironizuese e viteve të ’90-ta!

Në atë kohë ishte një unitet biblik mes shqiptarëve, i vëllezërve në veçanti!

Asokohe ishim më unik dhe më të bashkuar më njëri-tjetrin, më solidar me rrethin shoqërorë, kurse sot kanë ndryshuar gjërat!

Më të lidhur janë njerëzit nga largësia përmes rrjeteve sociale sesa vëllezërit dhe fqinjët në të njëjtën lagje apo fshat!

Kanë mbetur pak dhe të përçarë në baza partiake dhe fetare!

Janë shumë faktor socio-ekonomik që kanë ndikuar në humbjen e dashurisë dhe respektit të ndërsjellë midis njerëzve!

Por, përtej këtyre ka ndikuar edhe zhvillimi i hovshëm teknologjik, e mbi të gjitha këto, është një urrejtje dhe xhelozi e pashpjegueshme e kthyer në armiqësi vëllazërore mes shqiptarëve në të gjitha trojet etnike!

Sot janë të rralla familjet që kanë harmoni mes tyre!

Dikur ishin ’99 fije’ që i bashkonin shqiptarët, sot është e kundërta!

Aq të pakta dhe të rralla janë vizitat dhe kontaktet mes fqinjëve dhe vëllezërve, saqë duhet të bie një ‘mort’ për t’u çmallur me njeri-tjetrin!

Kjo të kujton e shkuar, kur gratë (gjinia femërore) e kishin të ndaluar daljen jashtë pullazit të shtëpisë, andaj me gëzim dhe kureshtje e prisnin kur ndodhte ndonjë rast vdekje jashtë rrethit të ngushtë familjarë për t’u takuar shoqet mes vete!

Nga ajo kohë ka mbetur ajo thënia famoze e grave “shyqyr që ra kjo dek e u pamë”. 

Tani, burrat e mjerë, të mbyllur në lëvozhgën e tyre sikur ta kishin vrarë djallin, e mirëpresin një lajm mortor per t’u takuar mes vete në funeralin e mikut të mikut apo dikujt tjetër!

Kaq dashuri dhe respekt ka mbetur mes njerëzve në Kosovë!

Morali është kthyer më maskarallëk njerëzor! 


Go to TOP