Nderohet jeta dhe vepra e atdhetarit e ish-eprorit të UÇK-së, Rafiz Sejdiu
I është dhënë sot lamtumira e fundit atdhetarit dhe ish-eprorit të UÇK-së, Rafiz Sejdiu, i njohur si Inxhinieri. Para varrimit, në nderim të jetës dhe veprës së tij, u mbajt mbledhje komemorative ku u vlerësua lart kontributi i tij për lirinë e vendit.
Me rastin e vdekjes së atdhetarit dhe ish-eprorit të UÇK-së, Rafiz Sejdiut, i njohur si Inxhinieri është mbajtur mbledhje komemorative ku është cilësuar lart jeta dhe vepra e të ndjerit.
“Ai dha shumë për organizatën tonë për bashkimin dhe dinjitetin e veteranëve në çdo kohë. Baca Rafiz foli me zemër me shpirt për drejtësinë për shokët dhe idealin e UÇK-së”, tha Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Ish-komandanti Shukri Buja, tha se gjithë jetën e tij ishte në luftë në plotë beteja për lirinë e shtetformimin.
Jeta dhe vepra e Rafiz Sejdiut u përkujtua edhe nga shokët dhe familjarët.
“Nuk ka asnjë proces kombëtar që është zhvilluar në këto hapësira ku ai nuk ka qenë prezent me punën dhe veprën e tij”, tha Adem Metushi , bashkëveprimtar.
“Babi ishte njeri i veprave, i vendosur dhe i drejtë, në çdo situatë ruajte dinjitetin, qetësinë dhe vendosmërinë”, tha Korab Sejdiu, djali i të ndjerit Rafiz Sejdiu
Varrimi i të ndjerit i u bë në fshatin Greme të Ferizajt.
