Sulmet ruse godasin civilët në Ukrainë, mes viktimave edhe fëmijë
Dronët dhe raketat ruse goditën disa vende të ndryshme në mbarë Ukrainën, duke vrarë të paktën gjashtë persona, përfshirë një grua dhe dy vajzat e saj të vogla, thanë zyrtarët ukrainas, të mërkurën, ndërsa përpjekjet e udhëhequra nga SHBA-ja për t’i dhënë fund luftës po dështojnë dhe presidenti ukrainas kërkon ndihmë të re ushtarake nga jashtë.
Sulmet ndodhën gjatë gjithë natës, në disa valë, dhe shënjestruan të paktën tetë qytete ukrainase, si dhe një fshat në rajonin e Kievit, ku një goditje i vuri flakën një shtëpie ku qëndronin nëna dhe vajzat e saj, 6 muajshe dhe 12-vjeçare, tha kreu rajonal Mykola Kalashnyk, raporton AP.
Të paktën 29 persona, përfshirë pesë fëmijë, u plagosën në Kiev, që, sipas autoriteteve, ishte objektivi kryesor.
Dronët rusë goditën, gjithashtu, një kopsht fëmijësh në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, të mërkurën vonë, ndërsa fëmijët ndodheshin brenda, tha kryebashkiaku Ihor Terekhov. Një person u vra dhe gjashtë të tjerë u plagosën.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, tha se shumë nga fëmijët ishin në gjendje tronditëse. Ai bëri të ditur se sulmet kishin në shënjestër 10 rajone të ndryshme: Kiev, Odesa, Chernihiv, Dnipropetrovsk, Kirovohrad, Poltava, Vinnytsia, Zaporizhzhia, Cherkasy dhe Sumy.
Sipas forcave ajrore të Ukrainës, Rusia lëshoi gjithsej 405 dronë sulmues dhe mashtrues, si dhe 28 raketa, kryesisht kundër Kievit.
