Ademi: AKI falënderon qytetarët për pjesëmarrjen në zgjedhje, tani nis numërimi – të ruhet vota e lirë

Zëdhënësi i Aleancës Kombëtare për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Arbër Ademi, ka falënderuar të gjithë qytetarët që sot morën pjesë në procesin zgjedhor.

Sipas Zhurnal, ai ka vlerësuar lart angazhimin dhe përgjegjësinë e treguar në një ditë vendimtare për të ardhmen e komunave.

“Falënderojmë të gjithë qytetarët për pjesëmarrjen në votime. Sot, ata dëshmuan vetëdije demokratike dhe përgjegjësi qytetare,” u shpreh Ademi.

Ai theksoi se tashmë ka nisur faza e numërimit të votave dhe i bëri thirrje të gjitha institucioneve përkatëse dhe vëzhguesve zgjedhorë që ta ruajnë me përpikëri dhe integritet votën e lirë të qytetarëve.

“U bëjmë thirrje institucioneve dhe vëzhguesve që të garantojnë mbrojtjen absolute të votës së lirë. Çdo votë është e shenjtë dhe duhet të numërohet me transparencë të plotë,” tha më tej Ademi.

Zgjedhjet e sotme lokale në Maqedoninë e Veriut janë ndjekur nga vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë, ndërsa raportet paraprake flasin për një proces përgjithësisht të qetë dhe demokratik.

Go to TOP