Ismajli falënderon ekipin e LDK-së në Gjilan: Asnjëri prej jush nuk është humbës, të gjithë jemi fitues
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të komunës së Gjilanit, Arbër R. Ismajli, ka shprehur mirënjohje dhe falënderim të thellë për të gjithë anëtarët e skuadrës së tij pas përfundimit të procesit zgjedhor duke theksuar se çdo anëtar i ekipit është fitues, pavarësisht rezultatit individual.
Në një mesazh drejtuar bashkëpunëtorëve dhe anëtarëve të LDK-së në Gjilan, Ismajli u shpreh: “Dua t’ju falënderoj nga zemra për angazhimin, përkushtimin dhe punën e palodhur që keni bërë, qoftë ata që keni zënë ulëse në Kuvendin Komunal, qoftë ata që nuk e keni arritur këtë. Çdo përpjekje juaja ka rëndësi dhe çdo kontribut është pjesë e suksesit tonë të përbashkët.”
Ai theksoi se asnjëri nga anëtarët e ekipit nuk duhet ta ndjejë veten humbës, pasi secili ka dhënë maksimumin për qytetin dhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës.
“Jam me të vërtetë me fat që kam pasur mundësinë të punoj me një ekip kaq të përkushtuar dhe të palodhur. Jemi bashkë si gjithmonë, dhe bashkë do të vazhdojmë të punojmë për qytetarët dhe për zhvillimin e qytetit tonë,” shkroi ai.
Në përmbyllje, Ismajli shprehu mirënjohjen e tij të thellë ndaj çdo anëtari të skuadrës duke theksuar se fryma e bashkëpunimit dhe përkushtimit do të vazhdojë të udhëheqë LDK-në në Gjilan.
“Faleminderit për gjithçka! Përgjithmonë i juaji,” përfundoi ai mesazhin e tij. /Kosova.info/
