Mërgata i jep besimin Bexhet Xheladinit: 55.92% e votave për kandidatin e LDK-së në Dragash

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar numërimin e votave të ardhura me postë nga mërgata për komunën e Dragashit, ku kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Bexhet Xheladini, ka marrë mbështetjen më të madhe me 55.92% të votave.

Në një adresim publik, Xheladini falënderoi nga zemra të gjithë bashkatdhetarët për përkushtimin dhe besimin e dhënë duke theksuar se ky rezultat është dëshmi e vlerësimit për punën, angazhimin dhe qëndrueshmërinë e tij.

“Ky është një mesazh i fuqishëm, i mbushur me vlerësim, besim dhe përgjegjësi. Ju siguroj se këtë besim do t’jua kthej me nder, përkushtim të palëkundur, punë të ndershme dhe respekt të thellë,” u shpreh Xheladini.

Ai tha se përkundër mbështetjes së fuqishme nga mërgata, gara nuk ka përfunduar dhe do të ketë balotazh duke ftuar qytetarët dhe mërgatën të mos ndalen, por të vazhdojnë angazhimin deri në fund.

Sipas rezultateve të përpunuara nga votat e rregullta dhe ato me postë, LDK ka dalë subjekti më i votuar me 6,616 vota (45.63%), pasuar nga PDK me 27.91%, LVV me 16.76%, VAKAT me 5.20% dhe kandidati i pavarur Nedžmidin Sejdilar me 4.32%.

“E ardhmja jonë e përbashkët ndërtohet mbi pjesëmarrje, mbi besim dhe mbi vlera,” përfundoi Xheladini duke falënderuar mërgatën për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe besimin e dhënë në këtë proces zgjedhor. /Kosova.info/


Go to TOP