LBK-ja pjesë e protestës në Tiranë në mbështetje të ish-eprorëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë

Në Tiranë të Shqipërisë u mbajt protesta më e madhe ndonjëherë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po gjykohen tash e pesë vjet në Hagë. Protesta u organizua nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) nën moton “Unë jam UÇK” duke shënuar një nga tubimet më të fuqishme mbarëkombëtare të viteve të fundit.

Mijëra qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare, përfaqësues të shoqatave të veteranëve, intelektualë, artistë e aktivistë, u bashkuan në këtë protestë për të kërkuar lirimin e menjëhershëm të krerëve të UÇK-së, të akuzuar për vrasjen e mbi 100 oponentëve politik gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Në mesin e pjesëmarrësve ishte edhe Lidhja e Bizneseve e Kosovës (LBK), nën udhëheqjen e kryetarit Besart Dreshaj dhe anëtarit Gëzon Berisha, e cila përmes pranisë së saj shprehu solidaritet të plotë me ish-luftëtarët e lirisë dhe kërkoi drejtësi të paanshme për ta. Përfaqësues të LBK-së theksuan se proceset e stërzgjatura në Hagë po dëmtojnë jo vetëm individët e akuzuar, por edhe imazhin e vetë luftës çlirimtare të Kosovës.

Protesta u zhvillua në mënyrë të qetë, por me emocione të thella patriotike, ku valëviteshin flamujt kombëtarë dhe dëgjoheshin thirrje për unitet e drejtësi. Organizatorët paralajmëruan se kjo ishte vetëm një nga seritë e aktiviteteve që do të pasojnë, derisa drejtësia të triumfojë për UÇK-në dhe komandantët e saj. /Kosova.info/


Go to TOP