Ahmeti: Gjykata Speciale u ngrit mbi trillime propagandistike, UÇK ishte partnere e NATO-s dhe Amerikës
Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, ka deklaruar sot se Gjykata Speciale u themelua mbi pretendime të rreme për trafikim organesh, të cilat, sipas tij, kanë qenë thjesht trillime propagandistike.
Duke folur në protestën gjithëkombëtare në Tiranë, e organizuar në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, Ahmeti tha se proceset gjyqësore aktuale nuk kanë të bëjnë me këto pretendime, por janë një riciklim akuzash ndaj ish-udhëheqësve të njohur të luftës çlirimtare.
“Sot të gjithë jemi dëshmitarë se aktakuza s’ka të bëjë me trafikim organesh, por është një riciklim akuzash ndaj Ramushit, Fatmirit e të tjerëve. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka respektuar të gjitha konventat ndërkombëtare për luftë dhe asnjëherë nuk ka shkelur ligjet e luftës. Kjo u dëshmua nga të gjitha gjykimet e deritashme, edhe nga dëshmitë amerikane e britanike në Hagë. Gjykimi shfaqi botërisht që UÇK ishte partner i NATO-s, Amerikës dhe Evropës,” deklaroi Ahmeti.
Ai theksoi se lirimi i ish-krerëve të UÇK-së duhet të bëhet pa asnjë vonesë duke e cilësuar drejtësinë si vonuar dhe të padrejtë ndaj atyre që luftuan për liri.
“Sot jemi bashkë në Tiranë, Prishtina e Shkupi dhe kështu qofshim përherë. Nga sheshi ‘Skënderbej’ në Tiranë dhe nesër nga sheshi në Shkup po ngremë zërin për drejtësi, për pragun e shtëpisë, për liri dhe demokraci,” shtoi Ahmeti.
Protesta në Tiranë është organizuar nga shoqatat e dala nga lufta, me pjesëmarrjen e mijëra qytetarëve nga të gjitha trevat shqiptare. Protesta të ngjashme në mbështetje të ish-presidentit Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit janë mbajtur më herët më 7 gusht në Prishtinë dhe më 12 shtator në Hagë, me thirrjen e përbashkët “Drejtësi për çlirimtarët”. /Kosova.info/
